Granit Xhaka pranon se bleu certifikatë vaksinimi: Ishte një gabim

Granit Xhaka ka reaguar publikisht pas nisjes së një hetimi nga Prokuroria e Kantonit të Luzernit lidhur me një certifikatë të dyshuar të rreme të vaksinimit kundër COVID-19, transmeton albinfo.ch.
Prokuroria zvicerane ka konfirmuar se ndaj Xhakës dhe një mjekeje është hapur procedurë për të sqaruar nëse ka pasur veprime me relevancë penale lidhur me marrjen e një vërtetimi të rremë dhe/ose falsifikimin e dokumenteve. Hetimet janë ende në zhvillim dhe për të dy personat vlen prezumimi i pafajësisë.
Në reagimin e tij, Xhaka ka thënë se gjatë periudhës së pandemisë kishte pasur shqetësime dhe frikë të mëdha lidhur me vaksinën kundër COVID-19.
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht”, ka deklaruar ai.
Sipas Xhakës, në atë kohë ai kishte pasur “një mosbesim të thellë ndaj vaksinës” dhe ishte përfshirë nga frika dhe pasiguria.
“Në këtë gjendje emocionale të trazuar, bleva një vërtetim vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet dhe shqetësimet e mia përmes rrugës së paraparë”, ka thënë futbollisti, transmeton tutje albinfo.ch.
Xhaka e ka cilësuar veprimin si të gabuar dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet.
“Sot e kuptoj qartë se ky veprim nuk ishte i drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq. Marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, ka deklaruar ai.
Sipas raportimeve të mediave zvicerane, Xhaka pritet të merret në pyetje nga Prokuroria e Luzernit në fillim të tetorit. (Schweizer Radio und Fernsehen (SRF))
Ndërkohë, mbrojtësi i mjekes së përfshirë në hetim ka deklaruar për “Blick” se klientja e tij thotë se Xhakën e ka vaksinuar dhe se procedura është zhvilluar sipas rregullave.
Hetimi do të përcaktojë nëse në këtë rast ka pasur shkelje penale.
The post Granit Xhaka pranon se bleu certifikatë vaksinimi: Ishte një gabim appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



