Haradinaj: Regjimi Kurti nuk u la rrugë tjetër kryetarëve, boll është boll

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas protestës së kryetarëve të komunave para Qeverisë së Kosovës, duke kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj ka thënë se komunat dhe kryetarët e tyre janë detyruar të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat dhe kompetencat që, sipas tij, u takojnë me ligj.
“Regjimi Kurti nuk ju la rrugë tjetër kryetarëve të komunave dhe komunave të dalin në rrugë. Boll është boll”, ka shkruar Haradinaj.
Protesta është organizuar në shenjë kundërshtimi ndaj disa vendimeve dhe politikave të nivelit qendror, ndërsa Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paraqitur një sërë kërkesash ndaj Qeverisë.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se mesazhet e protestës nuk janë partiake dhe se kërkesat nuk janë personale të kryetarëve të komunave.
Sipas tij, komunat kërkojnë buxhetin, pronën, kompetencat dhe trajtimin e barabartë institucional që u takojnë sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi.
Në mesin e kërkesave të AKK-së janë kompensimi i obligimeve financiare që burojnë nga kontratat kolektive, mbulimi nga buxheti qendror i kompensimit retroaktiv për përvojën e punës, rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim, si dhe ndërprerja e, siç e kanë cilësuar, centralizimit dhe cenimit të kompetencave komunale.
AKK-ja ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore, si dhe krijimin e një granti të katërt për investime kapitale.
Ibrahimi ka bërë thirrje për dialog institucional me Qeverinë, duke theksuar se komunat do të vazhdojnë t’i mbrojnë interesat e tyre përmes mjeteve demokratike dhe institucionale.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



