Haxhiu: Kurti s’e ka refuzuar ftesën për intervistim nga Prokuroria Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka refuzuar asnjëherë kërkesën që të japë dëshminë e tij në raport me kërkesën që e ka Prokuroria Speciale për rastin e rezervave shtetërore. Haxhiu tha se Kurti i ka ftuar prokurorët që të shkojnë në zyrën e tij në Kryeministri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka refuzuar asnjëherë kërkesën që të japë dëshminë e tij në raport me kërkesën që e ka Prokuroria Speciale për rastin e rezervave shtetërore.
Haxhiu tha se Kurti i ka ftuar prokurorët që të shkojnë në zyrën e tij në Kryeministri që ta japë dëshminë e tij, por sipas saj, nuk duket që Prokuroria Speciale është e interesuar për ta marrë dëshminë e Kurtit pasi sipas saj, ka pasur disa data që ka propozuar Kurti.
“Unë nuk e di se si saktësisht Prokuroria Speciale i është referuar gjykatës për këtë urdhër, nuk e kam parë si të tillë. Nëse Prokuroria Speciale ka thënë që Kurti nuk po pranon ta japë dëshminë, kjo është e pavërtetë, kjo është gënjeshtër, pasi Kurti nuk ka refuzuar që të japë dëshmi”.
“Neni që i referohet Prokuroria Speciale ka të bëjë me personat që refuzojnë të japin dëshmi, me persona që thonë se ‘nuk dua të japë dëshmi në raport me këtë çështje’ dhe jo një person, në këtë rast kryeministri Kurti, i cili thotë ‘unë japë dëshminë, iu ftoj në zyrën time’”.
“Pra, unë mendoj që nëse Prokuroria Speciale i është drejtuar kështu gjykatës, atëherë e ka mashtruar gjykatën. Nuk po paragjykoj se si saktësisht i ka shkruar Prokuroria Speciale gjykatës, por nëse ka thënë se po refuzon, atëherë mendoj se ky është mashtrim, pasi Kurti s’ka refuzuar asnjëherë që të japë dëshminë e tij”, tha Haxhiu, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ajo tha se e vetmja çështje në rastin e dhënies së dëshmisë së Kurtit është lokacioni, pasi tha se kërkesa e kryeministrit ka qenë që ta japë dëshminë e tij në Kryeministri.
“Por, më duhet të them se sistemi i drejtësisë në Kosovë kurrë s’ka qenë më i lirë nga ndikimi politik, por sërish më duhet të them se kurrë më politik s’ka qenë. Asnjëherë më politik s’ka qenë sistemi i drejtësisë”, tha ajo.