Haxholli nga IKD: Në 25 aktivitete të monitoruara janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës nxitëse mes partive politike
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar përdorimin e gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore. Ajo tha për “Front Online” se kjo gjuhë, e cila është përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara, mund të dëmtojë atmosferën e procesit zgjedhor dhe të nxisë konflikte mes përkrahësve të subjekteve politike.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar përdorimin e gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.
Ajo tha për “Front Online” se kjo gjuhë, e cila është përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara, mund të dëmtojë atmosferën e procesit zgjedhor dhe të nxisë konflikte mes përkrahësve të subjekteve politike.
“Si Demokraci në Veprim (DNV) kemi kritikuar dhe po vazhdojmë të kritikojmë gjuhen nxitëse dhe të urrejtjes që po përdoret në aktivitetet e partive politike garuese edhe në këto në zgjedhje, ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara. Subjektet politike duhet të përmbahen nga përdorimi i gjuhës së tillë, pasi mund të dëmtojnë atmosferën e fushatës zgjedhore dhe procesin zgjedhor në përgjithësi. Kjo sepse gjuha dhe sjelljet e subjekteve politike dhe kandidatëve mund të reflektohen edhe te përkrahësit e tyre dhe të nxisë konflikte në terren”.
Haxholli raportoi se gjatë javës së kaluar, në 25 aktivitete të monitoruara janë vërejtur raste të përdorimit të gjuhës nxitëse, me një intensifikim të tillë veçanërisht nga partia në pushtet.
“Java që lamë pas është karakterizuar me ashpërsim e përkeqësim të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Në plot 25 aktivitete të monitoruara, janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës nxitëse apo të urrejtjes mes partive dhe kandidatëve të tyre – që sipas intensitetit dhe peshës, ka qenë e shprehur sidomos në aktivitetet e partisë në pushtet”.
Ajo theksoi se edhe partitë tjera, si LDK, PDK dhe AAK, kanë përdorur gjuhë të ngjashme.
“Edhe në aktivitetet e partive tjera, përfshirë LDK-në (10 raste), PDK (6 raste) dhe AAK (2 raste), është raportuar për gjuhë të tillë fyese, nxitëse apo të urrejtjes. Kjo gjuhë ka vazhduar edhe gjatë kësaj jave, për raste të cilat DNV do të raportojë të shtunën në konferencën e radhës”.