Haziri: Vendimi për nominimin e Ismajlit ishte i imi dhe i kryesisë së LDK-së në Gjilan

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë se vendimi që Arbër Ismajli të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës ka ardhur pas një procesi të kujdesshëm të konsultimeve me kryesinë e degës. Haziri tha se nominimi i Ismajlit si kandidat për kryetar të Gjilanit është vendim i përbashkët

Haziri: Vendimi për nominimin e Ismajlit ishte i imi dhe i kryesisë së LDK-së në Gjilan

Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë se vendimi që Arbër Ismajli të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës ka ardhur pas një procesi të kujdesshëm të konsultimeve me kryesinë e degës.

Haziri tha se nominimi i Ismajlit si kandidat për kryetar të Gjilanit është vendim i përbashkët i tij dhe i kryesisë së degës së LDK-së në Gjilan.

“Ky është një vendim që vjen si rezultat i një besimi të ndërsjellë dhe vlerësimi të thellë për punën, përkushtimin dhe vizionin që Arbëri ka dëshmuar gjatë viteve, veçanërisht si nënkryetar i Komunës, por edhe si një aktivist i palodhur i LDK-së për tri dekada. Ai është pjesë e gjeneratës së dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjeneratë e artë e familjes sonë politike”.

“Nominimi i tij është vendim i përbashkët i imi dhe i Kryesisë së Degës sonë në Gjilan, si shprehje e bindjes sonë se ai do të dijë ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet, me përkushtim dhe me dashuri për qytetin”, shkroi Haziri, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Haziri tha se Ismajlin e njeh prej dekadash dhe se është miku dhe bashkëpunëtori i ditëve të mira dhe të rënda.

“Ka treguar se di të dëgjojë qytetarët dhe t’i shërbejë interesit publik me përulësi e profesionalizëm. E uroj përzemërsisht Arbërin dhe i dëshiroj sukses në këtë rrugëtim. Gjilani ka nevojë për energjinë, përvojën dhe vizionin që ai e përfaqëson”, tha ai.