Humbën jetën pas rrëzimit të helikopterit në New York/ Lidhja e çiftit spanjoll me FC Barcelona dhe kompaninë Siemens

Një aksident tragjik me helikopter mbi lumin Hudson në SHBA i ka marrë jetën një familjeje spanjolle me profil të lartë dhe pilotit të mjetit fluturues. Viktimat janë Agustín Escobar dhe Mercè Camprubí Montal, së bashku me tre fëmijët e tyre të mitur, të moshave 4, 5 dhe 11 vjeç. Familja ndodhej në një fluturim [...]Read More...

Humbën jetën pas rrëzimit të helikopterit në New York/ Lidhja e çiftit spanjoll me FC Barcelona dhe kompaninë Siemens

Një aksident tragjik me helikopter mbi lumin Hudson në SHBA i ka marrë jetën një familjeje spanjolle me profil të lartë dhe pilotit të mjetit fluturues. Viktimat janë Agustín Escobar dhe Mercè Camprubí Montal, së bashku me tre fëmijët e tyre të mitur, të moshave 4, 5 dhe 11 vjeç.

Familja ndodhej në një fluturim panoramik mbi Nju Jork, kur helikopteri u rrëzua për arsye ende të paqarta. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë, ku familja njihej jo vetëm për arritjet në fushën korporative, por edhe për lidhjet e ngushta me klubin legjendar FC Barcelona.

Escobar kishte një karrierë 27-vjeçare në kompaninë gjermane Siemens, ku së fundmi mbante postin e CEO-së për infrastrukturën hekurudhore në Siemens Mobility. Më parë kishte qenë president dhe CEO i Siemens në Spanjë. Ai ishte me origjinë nga Puertollano, në jug të Spanjës.

Znj. Camprubí Montal, nga Barcelona, gjithashtu mbante pozicione të larta në Siemens, ku punonte si menaxhere globale. Ajo vinte nga një familje e njohur katalanase, e lidhur me industrinë e tekstileve dhe me klubin FC Barcelona. Dy breza nga familja e saj kanë qenë presidentë të klubit: Agustí Montal Galobart (në vitet ’40-’50) dhe Agustí Montal Costa, i cili njihet për sjelljen e Johann Cruyff në klub në vitin 1973. Vëllai i saj, Joan Camprubí, ishte përmendur si kandidat për president të klubit vitin e kaluar.

Ndërsa Siemens ka shprehur tronditjen dhe ngushëllimet për humbjen e dy punonjësve të saj të nivelit të lartë, komuniteti i biznesit dhe politikës në Spanjë ka reaguar me dhimbje të thellë. Juan Ignacio Díaz, ish-koleg në Siemens, e përshkroi Escobar si një “njeri familjar, të dashur dhe të përkushtuar”. Presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, tha se Escobar ishte shpallur “djali i preferuar i rajonit” dhe u shpreh “thellësisht i tronditur” nga lajmi.

Karriera ndërkombëtare e çiftit kishte përfshirë detyra në Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine, Indi dhe Britaninë e Madhe.

/ abcnews.al