Industria zvicerane e çokollatës po del nga kriza e kakaos, por rreziqet mbeten

Industria e çokollatës duket se ka kaluar fazën më të rëndë të krizës së shkaktuar nga rritja historike e çmimeve të kakaos. Ekspertët e bankës zvicerane Vontobel vlerësojnë se sektori mund të jetë pranë një pike kthese, megjithëse rimëkëmbja mbetet ende në fazat e para.
Kriza nisi pas rritjes së jashtëzakonshme të çmimit të kakaos. Gjatë vitit 2024, çmimi arriti në periudha të caktuara mbi 10 mijë funte, ose rreth 10,900 franga zvicerane për ton. Të korrat e dobëta në Afrikën Perëndimore, sëmundjet e bimëve, pemët e vjetruara dhe spekulimet në tregjet e mallrave kontribuuan në mungesën e furnizimit dhe rritjen e çmimeve.
Prodhuesit e mëdhenj, përfshirë Lindt & Sprüngli, reaguan duke rritur ndjeshëm çmimet. Sipas Vontobel, furnizuesit kryesorë i kanë rritur çmimet në mënyrë kumulative me 25 deri në 50 për qind që nga viti 2024. Kjo ka ndikuar në kërkesë, pasi një pjesë e konsumatorëve janë orientuar drejt produkteve më të lira dhe markave të supermarketeve, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Shitjet ranë, por të ardhurat u rritën
Të dhënat e Chocosuisse tregojnë përmasat e goditjes ndaj industrisë zvicerane. Në vitin 2025, vëllimi i çokollatës zvicerane të shitur ra me 7.9 për qind, ndërsa eksportet u zvogëluan me 9.3 për qind. Megjithatë, për shkak të çmimeve më të larta, qarkullimi u rrit me 11.8 për qind. Konsumi i çokollatës për kokë banori ra gjithashtu me 2.7 për qind.
Tani po shfaqen sinjalet e para pozitive. Çmimi i kakaos ka zbritur në rreth 4,500 funte për ton, afërsisht 60 për qind nën kulmin e tij, edhe pse vazhdon të jetë rreth dyfish mbi mesataren historike. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, përpunimi global i kakaos u rrit për herë të parë pas gjashtë tremujorëve radhazi me rënie, një tregues që mund të sinjalizojë rikthimin e kërkesës.
Edhe Barry Callebaut ka dhënë shenja përmirësimi. Në tremujorin e tretë të vitit financiar 2025/26, vëllimi i shitjeve të kompanisë u rrit me 5.7 për qind, rritja e parë në dy vjet. Ndërkohë, Lindt & Sprüngli shpreson për rikthim të rritjes në vitin 2027. Në gjysmën e parë të vitit 2026, të ardhurat organike të kompanisë u rritën me 4.3 për qind, por kjo u mbështet kryesisht nga rritja e çmimeve prej 11.8 për qind.
El Niño mbetet kërcënim
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kriza nuk mund të konsiderohet plotësisht e përfunduar. Fenomeni klimatik El Niño mund të sjellë temperatura më të larta dhe më pak reshje në Afrikën Perëndimore, duke rritur rrezikun e thatësirave dhe të korrave më të dobëta të kakaos.
Bregu i Fildishtë, Gana, Nigeria dhe Kameruni së bashku sigurojnë rreth tre të katërtat e prodhimit botëror të kakaos, ndaj problemet me të korrat në këtë rajon mund të ndikojnë ndjeshëm në çmimet globale.
Megjithatë, Barry Callebaut vlerëson se përsëritja e krizës së viteve 2023–2024 është më pak e mundshme, pasi rezervat e kakaos janë më të larta dhe tregu po hyn në sezonin e ri të korrjeve me suficit, ndryshe nga vitet e mëparshme kur kishte mungesa të vazhdueshme.
The post Industria zvicerane e çokollatës po del nga kriza e kakaos, por rreziqet mbeten appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



