IPK konfirmon suspendimin e pesë policëve mbi rastin e vdekjes së 27 vjeçarit

Është konfirmuar nga Inspektorati Policor i Kosovës raportimi se pesë zyrtarë policorë në Lipjan janë suspenduar në kuadër të hetimit për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu. Në IPK bëjnë me dije se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’

IPK konfirmon suspendimin e pesë policëve mbi rastin e vdekjes së 27 vjeçarit

Është konfirmuar nga Inspektorati Policor i Kosovës raportimi se pesë zyrtarë policorë në Lipjan janë suspenduar në kuadër të hetimit për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.

Në IPK bëjnë me dije se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.

“IPK në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në rastin e Lipjanit. Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje, bëhet e ditur se njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“IPK në kuadër të autorizimeve ligjore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident “, shkruhet ndër tjerash në reagim.