Italiani që për pak u bë Papë/ Pietro Parolin u tërhoq dhe i hapi rrugën Leoni XIV
Katolikët kanë një Papë të ri, por jo shumë pasi Leoni XIV mori fronin e Shën Pjetrit, kanë filluar të zbardhen edhe detajet nga ajo që ndodhi brenda në konklavë. Gazeta italiane Corriere della Sera ka zbuluar se në raundin e parë të votimit, që u mbajt ditën e mërkurë, kardinali italian Pietro Parolin mori [...]Read More...

Katolikët kanë një Papë të ri, por jo shumë pasi Leoni XIV mori fronin e Shën Pjetrit, kanë filluar të zbardhen edhe detajet nga ajo që ndodhi brenda në konklavë.
Gazeta italiane Corriere della Sera ka zbuluar se në raundin e parë të votimit, që u mbajt ditën e mërkurë, kardinali italian Pietro Parolin mori një numër të konsiderueshëm votash.
Megjithatë këto vota nuk ishin të mjaftueshme për të siguruar një konsensus të fortë që do të adresonte përçarjet brenda Kishës Katolike, shkruan media italiane.
Vetë Parolin, dikur krahu i djathtë i Papa Françeskut bëri një hap pas, duke rezultuar në zhvendosjen e votave te Prevost.
Sipas Corriere della Sera, tërheqja e Parolin, ishte edhe arsyeja e vonesës në tymin e parë nga oxhaku i Kapelës Sikstine të mërkurën.
Nuk ishte rastësi që Papa Leoni XIV, në daljen e parë në ballkonin e bazilikës së Shën Pjetrit, kishte në krah pikërisht Parolin, këtë imazh media italiane e interpreton si një tregues se mes tyre nuk do të ketë hatërmbetje, përkundrazi linja e Papa Françeskut do të vazhdojë.
Ajo që është e sigurt thotë Corriere della Sera, është se Prevost përfitoi nga konflikti i fshehtë në Konklavë midis Kardinalëve nga vendet e Amerikës së Veriut dhe Kardinalëve nga vendet e Amerikës së Jugut.
69-vjeçari amerikan u favorizua jo pak nga qëndrimi i tij ndaj Trump pas vendimit të presidentit amerikan për të ulur ndihmën ndërkombëtare nga USAid me 90%, duke e quajtur atë një “zgjedhje kriminale”.
Prevost u mbështet edhe nga kardinalët frëngjishtfolës nga vendet afrikane. Aftësitë e tij si një negociues i mirë në debate që ndajnë Kishën Katolike mes konservatorëve dhe liberalëve, ndikuan gjithashtu në mbështetjen që amerikani mori, për t’u bërë Papa i ri.
/abcnews.al/