Kaia Kallas, përfaqësuesja e BE-së që po shpërbën barrierat në dialogun Kosovë-Serbi
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë edhe më tej vazhdon të mbetët një nga çështjet më të ndjeshme dhe të diskutueshme në diplomacinë ndërkombëtare. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaia Kallas, ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të rikthyer besimin dhe vazhduar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Në deklaratë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë edhe më tej vazhdon të mbetët një nga çështjet më të ndjeshme dhe të diskutueshme në diplomacinë ndërkombëtare.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaia Kallas, ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të rikthyer besimin dhe vazhduar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Në deklaratë të fundit, Kallas theksoi se një nga prioritetet e saj do të jetë rishikimi i gabimeve të kaluara që kanë karakterizuar bisedimet, me qëllim përmirësimin e mekanizmave të dialogut dhe për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dy palët.
Dedaj: Kallas i ka listuar gabimet e dialogut, ky reflektim shkon në dobi të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në luginë
Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, për FrontOnline ka folur pas deklaratës së fundit të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kaia Kallas, e cila theksoi se do të rishikonte gabimet e negociatave të kaluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
‘’Mendoj se Zonja Kaja Kallas tashmë i ka listuar gabimet e negociatave shterpe dhe të stërzgjatura mes Kosovës dhe Serbisë si dy vende fqinje’’ Thotë ai.
Dedaj ka vlerësuar se ky dialog ka qenë i “shterpë dhe i gjatë” dhe se ka prodhuar “vetëm tensione, situata konfliktuoze dhe ndasi më të mëdha” ndërmjet dy shteteve të pavarura.
‘’Ky dialog ka prodhuar vetëm tensione, situata konfliktuoze dhe ndasi edhe më të mëdha ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve të pavarura, të cilat kanë nevojë për stabilitet, bashkëpunim ndërshtetërorë dhe njohje të realiteteve të reja dhe përfundimisht edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe e Serbisë nga Kosova, duke hapur nje kapitull të ri ndershtetëror dhe krijimin e nje klime të re ne rajon dhe në Ballkanin Perëndimor’’ ka thënë ai.
Dedaj gjithashtu ka nënvizuar se ky reflektim është i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të jetesës për “komunitetin serb që jeton në Republikën e Kosovës dhe atij shqiptar në Republikën e Serbisë,” duke e cilësuar atë si një “nevojë urgjente” për të dyja palët.
‘’Ky refkektim ështē imediat edhe në dobi të komunitetot serb qe jeton në Republiken e Kosovës dhe atij shqiptar në Republiken e Serbisë. Agjemda e BE dhe e Zonjes Kaja Kallas duhet të ndryshoj në qasje,përmbajtje dhe në dinamikë,padyshim duke e përfshirë edhe Administraten Amerikane drejtperdrejt nè permbylljen dhe finalen e ketij dialogu,i cili do të hapte perspektiven e integrimeve Euroatlantikrle dhe rë antsresmit të Kosoves dhe Serbisë në NATO dhe BE’’ ka përfunduar Dedaj.
Hamiti: S’ka rrugë evropiane as për Kosovën as për Serbinë pa normalizim të mardhënieve mes tyre
Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, ka komentuar deklaratën e fundit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila tha se bashkë me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen, po shqyrtojnë se “çka funksionon dhe çka nuk funksionon” në procesin e dialogut ndërmjet dy shteteve.
‘’ Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashme dhe Politika të Sigurisë, Kaja Kallas, paska deklaruar se bashkë me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen, po e shyrtojnë se “çka funksionon dhe çka nuk funksionon” në këtë proces dialogu’’ tha ai.
Hamiti ka theksuar se ky është një moment kyç për të rishikuar dhe përmbyllur këtë proces, duke përmendur se as Kosova dhe as Serbia nuk mund të avancojnë në rrugën e integrimeve evropiane pa normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
‘’As Kosova as Serbia nuk mund të shkojnë rrugës evropiane pa normalizim të marrëdhënieve ndërmjet tyre, paska thënë zonja Kallas, duke përmendur edhe “gabimet” që mund të jenë bërë në këtë proces të deritashëm’’ shton ai.
Në reagimin e tij, Hamiti ka theksuar se “pa njohje reciproke të të dyja, Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve” dhe as integrim të tyre në Bashkimin Evropian.
‘’ Pa njohje reciproke të të dyjave, të Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve. As integrim të tyre në BE’’ deklaroi Vllasi.
Ai ka shtuar se kjo është “premisa themelore për ringjallje dhe përmbyllje të procesit të tejzgjatur të dialogut”, të cilin, sipas tij, Serbia ka tendencë ta zvarrisë.
‘’Kjo është premisa themelore për ringjallje dhe përmbyllje të procesit të tejzgjatur të dialogut Kosovë-Serbi, të cilin e ka zvarritur Serbia’’ vazhdoi Hamiti.
Hamiti gjithashtu ka kritikuar atë që ai e quan “ambiguiteti konstruktiv”, duke theksuar se ideja që mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa njohje të ndërsjellë është një qasje e gabuar.
‘’ ‘Ambiguiteti konstruktiv’, ideja se mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë, është e gabueshme’’ u shpreh Hamiti.
Vllasi: Kallas dhe Petersen janë me të përshtatshëm për Kosovën, vijnë nga vende mike të vendit tonë
Analisti politik Azem Vllasi ka komentuar rolin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaia Kallas, dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen, duke theksuar se ata janë më të përshtatshëm për të ndërmjetësuar në dialog dhe për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve.
Sipas Vllasit, të dy ata vijnë nga shtete mike që e njohin Kosovën, çka garanton se do të jenë të paanshëm në këtë proces të ndjeshëm.
‘’ Kaya Kallas, dhe ndërmjetësuesi special për dialog Soren Petersen janë gjithsesi më të përshtatshëm për ndërmjetësim në dialog dhe për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Të dytë vijnë nga shtetet mike që e njohin Kosovën dhe kjo garanton se do të jenë të paanshëm’’ tha ai.
Vllasi ka theksuar se Kallas dhe Sørensen duhet fillimisht t’i kthejnë palët te Marrëveshja e Brukselit dhe Agjenda për Zbatimin e Ohrit të shkurtit dhe marsit 2023, duke i detyruar të dyja palët, veçanërisht Serbinë, që t’i përmbahen këtyre marrëveshjeve. Ai vlerësoi se këto ishin marrëveshje të mira, si udhe rrëfim për arritjen e një finaleje të qëndrueshme në dialog.
Vllasi theksoi se të dyja palët kishin rënë dakord për respektimin e integritetit territorial dhe kufijve, duke theksuar se kjo vlen vetëm mes shteteve të pavarura.
‘’Fillimisht këta duhet t’i kthejnë palët te Marveshja e Brukselit dhe Agjenda për zbatim e Ohrit të shkurtit dhe marsit 2023. Dhe t’a obligojnë palen serbe që t’ju përmbahet. Ato ishin marrëveshje të mira si udhe rrëfim që qonte deri te një finale. Të dyja palët ishin dakorduar për respektimin e integritetit territorial dhe të kufijve’’ deklaroi ai.
Vllasi ka kritikuar Serbinë për mos-respektimin e këtyre marrëveshjeve, duke kujtuar se Serbia ka vazhduar të agjitojë kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe e ka njoftuar zyrtarisht Brukselin dhe BE-në se nuk do t’i përmbahet këtyre marrëveshjeve.
‘’ Kjo vlen vetëm në mes shteteve. Serbia ishte obliguar që mos të pengoi Kosovën në antarsimin-asociimin në organizatat dhe agjencitë ndërkombëtare. Kosova kishte marr si obligim të brendshëm formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bashkëpunim me këto komuna, e përbrenda Kushtetues së Kosovës. Jo si e dëshiron Serbia. Serbia nuk iu përmbahet këtyre marrëveshjeve. Gjithandej nëpër botë agjiton kundër pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe lavohet për këtë. Madje, me shkrim zyrtar Qeveria e Serbisë e ka njoftu Brukselin,BE, se nuk do t’ju përmbahet këtyre marrëveshjeve. Serbia për sjellje të tilla nuk ka asnjë pasojë, ndërsa BE i ka vendos do masa ndaj Kosovës vetëm për faktin se Qeveria ka marë disa masa në veri për shtrirjen e sundimit të ligjit atje’’ shton ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se, ndërkohë që BE ka vendosur masa ndaj Kosovës për veprime të shtrirjes së sundimit të ligjit në veri, Serbia ka kaluar pa pasoja për sjelljen e saj.
Vllasi theksoi se njohja reciproke është premisa themelore për një marrëveshje finale dhe stabilitet të qëndrueshëm, duke nënvizuar se kjo nënkupton që Serbia të respektojë Vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konfirmuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të OKB-së.
‘’ Si synim për Marrëveshje finale gjithsesi duhet të jet njohja reciproke. Kjo nënkupton që Serbia t’a respekton Vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas cilit shpallja e pavarësisë të Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare e as me Rezolutën 1244 të KS të KB’’ potencoi ai.
Ai kërkoi që Serbia ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj, për të mundësuar normalitet mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane.
‘’Sidomos duke patur parasysh se vet Serbia pat kërkuar nga ajo Gjykatë vlerësim për këtë. Konform kësaj, pala kosovare në dialog duhet të kërkoj që Serbia ta heq nga Kushtetuta e vet Kosovën. Normalitet mund të ketë vetëm në mes dy shteteve të pavarura e sovrane’’ deklaron Vllasi.
Në fund, Vllasi tha se për vazhdimin e dialogut do të duhet të pritet paksa, duke pasur parasysh disa probleme të brendshme në Serbi. Ai shtoi se, në rast se nuk formohet shpejt një qeveri në Kosovë, mund të jetë Presidentja Vjosa Osmani ajo që do të marrë këtë detyrë, duke u angazhuar në kontakte bilaterale me zonjën Kallas dhe zotin Sørensen për të sqaruar disa çështje të rëndësishme.
‘’ Për vazhdim të dialogut do të pritet pakëz nga se Serbia ka do problems të brendshme. Por deri në vazhdim, Qeveria e Kosovës, posa të formohet, në kontakt bilateral me znj. Kallas dhe zt. Sorensen të sqarohen për shumë çështje. Nëse nuk ka shpejt Qeveri, këtë detyrë mund ta merr Presidentja Osmani’’ përfundoi ai.