Keq me numra/ Lëvizja “Vetëvendosje” po shpreson në votat e deputetëve të opozitës
Tashmë kur ka përfunduar numërimi i të gjitha votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ndonëse ende nuk është certifikuar rezultati zgjedhor, subjektet politike kanë filluar të kalkulojnë se si mund t’i formojnë institucionet e reja qendrore. Nga Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila me shumë gjasë do t’i ketë 48 vota në Kuvendin e Kosovës, po

Tashmë kur ka përfunduar numërimi i të gjitha votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ndonëse ende nuk është certifikuar rezultati zgjedhor, subjektet politike kanë filluar të kalkulojnë se si mund t’i formojnë institucionet e reja qendrore.
Nga Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila me shumë gjasë do t’i ketë 48 vota në Kuvendin e Kosovës, po shpresojnë se pos votave të minoriteteve joserbe, Qeverinë “Kurti 3” do ta votojnë edhe disa deputetë nga opozita. Në anën tjetër, partitë e opozitës janë deklaruar kundër një koalicioni me partinë e Albin Kurtit, Lëvizjen “Vetëvendosje”.
Deputeti i VV’së: Emrat e rinj të opozitës do ta mundësojnë formimin e Qeverisë së re
Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Halil Thaçi, ka deklaruar për “Front Online” se partia e tij, e cila është më e votuara në vend, do të formojë Qeverinë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.
Thaçi thotë se emrat e rinj të deputetëve të opozitës do ta mundësojnë formimin e qeverisë.
“VV është më e votuara në vend. Do ta formojmë qeverinë. Po shohë emra të rinj për deputetë nga opozita sigurisht që ata do ta votojnë qeverinë që i takon shumicës”, deklaroi Thaçi.
Deputeti Thaçi shtoi se çdo përpjekje për të sabotuar formimin e Qeverisë do të ndëshkohet sërish nga votuesit.
“Ne e presim certifikimin dhe pastaj të vazhdojmë punën për krijimin e Qeverisë së re. Ata deputetë që mendojnë ta sabotojnë formimin e Qeverisë, qytetari do t’i ndëshkojë përsëri me votë”, shprehet Thaçi për FrontOnline.
Nait Hasani thotë se do të mbështesë Qeverinë që mbron vlerat e UÇK-së
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës , Nait Hasani, për “Front Online” ka thënë se partia e tij do të presë certifikimin e rezultateve zgjedhore për të dalë me propozime për koalicione dhe formimin e Qeverisë.
“Do të presim certifikimin. KQZ ka treguar që nuk është përgatitur me këto vonesa të shumta të numërimit të votave. Kur të përfundojnë këto do ta dalim me mundësinë e koalicioneve për formimin e Qeverisë”, deklaroi ai.
Hasani thotë se mbështetjen e tij do ta ketë ajo Qeveri që do të fokusohet të punojë për lirimin e Kosovës nga sanksionet, përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët dhe mbështetjen e vlerave të UCK-së.
“Krijimi i një Qeverie që e liron Kosovën nga sanksionet, përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët, përgjegjëse para drejtësisë. Qeveria që do të jetë mbrojtëse e vlerave të UCK-së, atyre që janë në Hagë. Ai që i ka këto parametra do ta ketë mbështetjen edhe të votës time”, shprehet Hasani.
Deputeti i AAK-së: Jemi për një Qeveri të opozitës
Bekë Berisha, deputeti i rizgjedhur i AAK-së, është shprehur për ”Front Online” se partia që bënë pjesë ai është pro një Qeverie të opozitës.
Sipas tij, tjetër variant nuk kanë AAK, përveç opozitës, duke kundërshtuar koalicionin me VV-në.
“Ne jemi për një Qeveri të opozitës dhe qëndrojmë aty. E kemi thënë 100 herë që variantet e tjera janë të pamundshme për AAK”, shprehet Berisha për FrontOnline.