Kina dhe SHBA, takim në Zvicër për të zbutur tensionet tregtare pas tarifave
Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë një takim zyrtar më 10 dhe 11 maj në Zvicër, në një përpjekje për të hedhur themelet e negociatave tregtare dhe për të ulur tensionet që janë përshkallëzuar pas vendosjes së tarifave të reja nga administrata e Presidentit Donald Trump. Ky do të jetë takimi i parë [...]Read More...

Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë një takim zyrtar më 10 dhe 11 maj në Zvicër, në një përpjekje për të hedhur themelet e negociatave tregtare dhe për të ulur tensionet që janë përshkallëzuar pas vendosjes së tarifave të reja nga administrata e Presidentit Donald Trump.
Ky do të jetë takimi i parë që nga rikthimi i tarifave të larta ndaj mallrave kineze nga SHBA, të cilat shkojnë deri në 145%, dhe reagimi i menjëhershëm i Pekinit me masa të ngjashme ndaj importeve amerikane. Situata ka ngjallur shqetësime për një recesion global dhe për rritje të mëtejshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Delegacioni amerikan do të përfaqësohet nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessant, dhe Përfaqësuesi i Tregtisë, Jamieson Greer, ndërsa Kina do të përfaqësohet nga Zëvendëskryeministri He Lifeng.
Në një deklaratë, Ministria kineze e Tregtisë theksoi se Pekini nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i tij parimor, duke paralajmëruar se “nëse SHBA flet në një mënyrë dhe vepron në një tjetër, Kina nuk do të pranojë”. Sipas saj, tarifat e njëanshme të SHBA kanë ndikim negativ jo vetëm në ekonominë amerikane, por edhe në atë globale.
Nga ana tjetër, Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessant, u shpreh në një intervistë për Fox News se bisedimet do të jenë të përqendruara në uljen e tensioneve, dhe jo në një marrëveshje të madhe tregtare në këtë fazë. “Kjo është një mundësi për të rivendosur ekuilibrin në sistemin ekonomik ndërkombëtar,” theksoi ai.
Ndërkohë, për të zbutur pasojat ekonomike të luftës tregtare dhe rënies së konsumit të brendshëm, Kina njoftoi uljen e normave të interesit dhe të rezervave të detyrueshme të bankave. Masa përfshin uljen e normës së interesit për blerjen e shtëpisë së parë nga 2.85% në 2.6%.
Takimi në Zvicër pritet të jetë hapi i parë drejt një angazhimi të qëndrueshëm diplomatik, që synon të parandalojë përshkallëzime të mëtejshme dhe të vendosë bazën për marrëveshje të ardhshme tregtare. /abcnews.al