Kolaps brenda SNS-së, momenti kur Bërnabiqi përplaset me qytetarët që festonin humbjen e Vuçiqit

Kolaps brenda SNS-së, momenti kur Bërnabiqi përplaset me qytetarët që festonin humbjen e Vuçiqit

Ana Bërnabiq, ushtruesja e detyrës së presidentes së Serbisë dhe kryetare e Kuvendit serb, është përfshirë në një përplasje verbale me një grup qytetarësh në Beograd, pasi presidenti Aleksandar Vuçiq pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Pamjet e publikuara nga e përjavshmja beogradase Vreme tregojnë Bërnabiqin duke iu afruar qytetarëve që po festonin fitoren e listës studentore, të cilët, sipas saj, “e kishin ofenduar teksa po kalonte me veturë”.

“Ma thuaj tani, kush është p…a? Kush është p…a, ju apo unë?”, dëgjohet duke i thënë ajo njërit prej të pranishmëve, i cili mbante një birrë në dorë.

Kur qytetari e pyeti se si kishte mundur t’i dëgjonte fyerjet përmes xhamave të blinduar të veturës, Bërnabiq këmbënguli që ai t’i përsëriste ato drejtpërdrejt në sy.

“Pra, p…a jemi vetëm derisa të vijmë t’ju shikojmë në sy”, tha ajo gjatë debatit, ndërsa në një moment shtyu dorën e një gruaje që ndodhej aty.

Një tjetër qytetar i tha se fjala e saj nuk kishte më vlerë. Bërnabiq iu përgjigj se nuk kishte veturë të blinduar dhe se nuk frikësohej nga populli i saj.

“Është e lehtë të ofendoni kur nuk keni kush t’ju përgjigjet. Frikacakë”, u tha ajo të pranishmëve.

Në një moment, Bërnabiq doli në rrugë dhe qëndroi në mes të korsisë së automjeteve, duke bërtitur: “Ecni, goditni!”. Ndërkohë, qytetarët i uronin natën e mirë dhe këndonin këngë në shenjë feste, përfshirë edhe “E tasg adio”.

Përplasja ndodhi gjatë natës, kur qytetarët në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë festonin fitoren e listës “Lista Studentore – Studentët Fitojnë”.

Sipas projeksionit të CeSID-it dhe Ipsos-it, bazuar në 96 për qind të mostrës së përpunuar, lista studentore fitoi 140 mandate në Kuvendin e Serbisë, ndërsa lista e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, siguroi 103 mandate.

Bërnabiqi ishte kandidate në listën e Vuçiqit.

The post Kolaps brenda SNS-së, momenti kur Bërnabiqi përplaset me qytetarët që festonin humbjen e Vuçiqit appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.