Komiteti i OKB-së, i shqetësuar për refuzimin e Serbisë për të ekstraduar të dyshuarit në Kosovë
Komiteti i OKB-së për Zhdukjet e Detyrueshme (CED) publikoi sot gjetjet e tij për Serbinë, Belgjikën, Republikën Qendrore të Afrikës, Gambinë dhe Maltën, pasi shqyrtoi pesë shtetet palë gjatë sesionit të tij të fundit. Gjetjet përmbajnë shqetësimet dhe rekomandimet kryesore të Komitetit për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja

Komiteti i OKB-së për Zhdukjet e Detyrueshme (CED) publikoi sot gjetjet e tij për Serbinë, Belgjikën, Republikën Qendrore të Afrikës, Gambinë dhe Maltën, pasi shqyrtoi pesë shtetet palë gjatë sesionit të tij të fundit.
Gjetjet përmbajnë shqetësimet dhe rekomandimet kryesore të Komitetit për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, si dhe aspekte pozitive.
Për sa i përket Serbisë, Komiteti i rekomandoi vendit tonë fqinj që “të kriminalizojë zhdukjen e detyruar si një vepër autonome, të rishikojë dënimet dhe statutet e kufizimeve për të pasqyruar peshën e saj dhe të zgjerojë përkufizimet e viktimave për të siguruar përfshirje dhe dëmshpërblim të plotë për të gjithë individët e prekur”.
Komiteti po ashtu ishte i shqetësuar edhe “për refuzimin e Serbisë për të ekstraduar qytetarët e kërkuar nga autoritetet gjyqësore të Kosovës dhe klasifikimin e arkivave kryesore ushtarake dhe policore, duke penguar hetimet”.
“Komiteti rekomandoi që shteti palë të prioritizojë përpjekjet dypalëshe dhe shumëpalëshe për të riaktivizuar kornizat e bashkëpunimit, për të siguruar qasjen e publikut në arkiva, për të rifilluar dialogun me Kosovën për të zbatuar Deklaratën për Personat e Zhdukur të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023”, u tha ndër të tjera në këtë raport.
Komiteti, sipas këtij raporti, thotë se ka përsëritur shqetësimet e ngritura në vitin 2023 nga Raportuesi Special për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje lidhur me “ngecjen në vullnetin për të ndjekur penalisht zyrtarët serbë për krime kundër shqiptarëve të Kosovës, pa asnjë aktakuzë të tillë në pesë vitet e fundit”.
Komiteti ka përmendur nënshkrimin në vitin 2015 të Marrëveshjes për Nxitjen e Bashkëpunimit Rajonal në Procesimin e Krimeve të Luftës dhe Kërkimin e Personave të Zhdukur dhe për krijimin e Mekanizmave Koordinues ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë, si dhe informacionin e dhënë nga shteti palë i rajonit në lidhje me marrëveshjen.
“Megjithatë, Komiteti është i shqetësuar se sipas informacionit të marrë, bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal i kërkuar për zhvillimin efektiv të proceseve të kërkimit dhe identifikimit kanë ngecur vitet e fundit, veçanërisht me Kroacinë dhe Kosovën”, tha ky komitet.
Komiteti rekomandon që Serbia “të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rritur bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore në Kosovë dhe për të lehtësuar ndjekjen penale të të gjithë personave të akuzuar për kryerjen e zhdukjeve me forcë, duke përfshirë marrëveshjet për transferimin e rasteve”.
Komiteti tha se që nga sot, ka regjistruar gjithsej 2011 raste veprimesh urgjente, të cilat janë kërkesa për shtetet palë për të kërkuar, gjetur dhe mbrojtur menjëherë një person të zhdukur./Klankosova.tv