Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, iftar me përfaqësues diplomatikë dhe personalitete të diasporës

Mysafirë ishin: Ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi, ai i Maqedonisë, Rexhep Demiri, Valon Gashi, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë dhe Vigan Berisha, Konsull i Kosovës në Cyrih The post Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, iftar me përfaqësues diplomatikë dhe personalitete të diasporës appeared first on Albinfo.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, iftar me përfaqësues diplomatikë dhe personalitete të diasporës

Të premten mbrëma, më 7 mars 2024, Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) në bashkëpunim me «Rrjetin e Miqësisë» ka shtruar iftar tradicional, në të cilin ishin të ftuar personalitete të shquara të jetës publike, drejtues të organizatave islame më të rëndësishme, publicistë, biznesmenë, filantropë, imamë dhe drejtues të xhamive shqiptare.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin kryetari i KMSHZ-së, Hafiz Mehas Alija, diplomatët shqiptarë në Zvicër: Ambasadori i Republikës së Kosovës, Mentor Latifi, Ambasadori i Maqedonisë, Rexhep Demiri, Valon Gashi, Sekretari i Parë në Ambasadën e Shqiperisë dhe Vigan Berisha, Konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih. Më tutje, në mesin e üpjesëmarrësve ishin edhe kryetari i Rrjetit të Miqësisë, Meti Krasniqi dhe mysafirë të tjerë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.

Diplomatët, Ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi dhe ai i Maqedonisë Rexhep Demiri, përcollën urimet e tyre për muajin e shenjtë të Ramazanit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe vlerave shpirtërore gjatë kësaj periudhe të veçantë. Kryetari i Rrjetit të Miqësisë, z. Meti Krasniqi, theksoi në fjalimin e tij rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke vënë theksin te e ardhmja e brezave të rinj shqiptarë dhe mirëqenia e komunitetit.

Ndërsa kryetari i Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër, Hafiz Mehas Alija, duke ju drejtuar të pranishmëve ka falënderuar shoqërinë zvicerane për sigurinë që ofron dhe për hapjen e saj në drejtim të dialogut ndërfetar. Po ashtu ai ka vënë theksin në rolin e xhamive shqiptare në vendet ku jeton komuniteti shqiptar për ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar.

“Jemi me fat që jetojmë në një shoqëri dhe mjedis siç është  Zvicra, ku ka mbështetje, motivim dhe nxitje për dialog ndërfetar, ndërkulturor dhe ndërcivilizues. Jetojmë në shtetin më të sigurt në botë, andaj dhe rrugët për një bashkëjetesë më të mirë i kemi më të sigurta”.

“Xhamitë këtu në mërgatë janë kështjellat ku ruhen reliktet dhe inxhitë më të çmuara të fesë dhe të kombit tonë. Ato sot janë qendrat e jetës fetare islame dhe të asaj shqiptare. Në to sot i gjen të gjitha profilet e shoqërisë sonë, burra e gra, të rinj e të reja.

Nga ana tjetër, gjuha shqipe është një nga pasuritë më të mëdha që kemi. Ajo është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe simbol i unitetit dhe dashurisë për atdheun tonë. Ajo na lidh me historinë, me traditat dhe me njëri-tjetrin, pavarësisht se ku ndodhemi në botë.

Dua të apeloj fortë: Le të bëjmë përpjekje të përbashkëta për ruajtjen e gjuhës, sepse duke e ruajtur atë, ne do ta ruajmë indentitetin tonë. Gjuha na lidh me historinë, me traditat dhe më njëri-tjetrin, pavarësisht se ku jetojmë e veprojmë nëpër botë”, ka thënë veç tjerash Hafiz Mehas Alija.

Meqenëse iftari këtë vit përkonte me 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, organizatorët kishin paraparë edhe një bashkëbisedim me temën “Mërgata dhe mësimi shqip”. Ky aktivitet u mbajt në Xhaminë e Re në Winterthur, e cila sapo ka hapur dyert për besimtarët. Të pranishmit shprehën mesazhe të rëndësishme mbi rolin e diasporës në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe, duke theksuar rëndësinë e edukimit në gjuhën amtare për brezat e rinj që jetojnë jashtë vendit.

Diskutimi nxori në pah sfidat dhe mundësitë për forcimin e arsimit shqip në mërgatë, si dhe nevojën për bashkëpunim mes institucioneve fetare dhe arsimore, në këtë rast me shkollat shqipe në Zvicër.

The post Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, iftar me përfaqësues diplomatikë dhe personalitete të diasporës appeared first on Albinfo.