Kontraceptivët falas në Gjenevë: Një hap që mund të nxisë një lëvizje në gjithë Zvicrën

Kontraceptivët falas në Gjenevë: Një hap që mund të nxisë një lëvizje në gjithë Zvicrën

Me 58% të votave, banorët e Gjenevës kanë miratuar parimin e qasjes falas në kontracepsion për të gjithë, pa kufizim moshe. Vendimi është i pari i këtij lloji në Zvicër dhe mund të hapë rrugën për një debat të ri në nivel kombëtar.

Nisma, e propozuar nga Partia Socialiste, shkon më tej se masat e diskutuar në kantone të tjera. Në Neuchâtel, për shembull, është miratuar një propozim për kontracepsion falas për personat nën 30 vjeç, ndërsa në Gjenevë parimi do të vlejë për të gjitha moshat.

Mbështetësit e iniciativës argumentojnë se kostoja e kontracepsionit mund të jetë pengesë për disa persona. Sipas specialistëve të Spitaleve Universitare të Gjenevës, disa njerëz heqin dorë nga metoda e dëshiruar për shkak të kostos, ndërsa të tjerë udhëtojnë deri në Francë për t’i blerë kontraceptivët me çmime më të ulëta.

Masa synon gjithashtu të kontribuojë në uljen e numrit të ndërprerjeve të shtatzënisë. Gjeneva është kantoni me normën më të lartë të ndërprerjeve të shtatzënisë në Zvicër.

Zbatimi i kontracepsionit falas është planifikuar për vitin 2028. Deri atëherë, autoritetet duhet të përcaktojnë mënyrën se si do të funksionojë sistemi, nëse kontraceptivët do të ofrohen falas në farmaci apo nëse shpenzimet do të rimbursohen më vonë.

Në masë përfshihen metoda të ndryshme kontraceptive, nga pilulat dhe prezervativët deri te spiralet dhe implantet. Kostoja e parashikuar për kantonin është rreth 20 milionë franga zvicerane në vit.

Vendimi i Gjenevës po nxit tashmë kërkesa për një zgjidhje në nivel federal. Gratë Socialiste të Zvicrës kanë paralajmëruar paraqitjen e një mocioni në Këshillin Kombëtar për ta shtrirë kontracepsionin falas në të gjithë vendin.

Në këtë mënyrë, vendimi i Gjenevës mund të shërbejë si pikënisje për një debat më të gjerë mbi financimin dhe qasjen në kontracepsion në Zvicër/albinfo.ch/

The post Kontraceptivët falas në Gjenevë: Një hap që mund të nxisë një lëvizje në gjithë Zvicrën appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.