Kosova votoi sot edhe në Gjenevë: Pesha historike e një date
"Kisha zgjedhur të përjetoj këtë eksperiencë klasike. Ndoshta për herë të parë këtu në Gjenevë po e ndjeja se sa peshë ka letërnjoftimi im i Kosovës. Isha e lumtur! The post Kosova votoi sot edhe në Gjenevë: Pesha historike e një date appeared first on Albinfo.

Mëngjes i ftohët dimëror ishte sot më 8 shkurt në Gjenevë, megjithatë ai i kishte gjetur shqiptarët e Kosovës zgjuar që në orë të hershme.
Konsullata e Republikës së Kosovës në Gjenevë i kishte hapur dyert e saj që në orën shtatë të mëngjesit. Përpara hyrjes së saj që mbante numrin 63 në « Rue de Lausanne » qëndronte një veturë e Mbrojtjes diplomatike, gjegjësisht katër a pesë përfaqësues të forcave policore gjenevase.
Në hyrje të ndërtesës një zonjë e shoqëruar nga një zotëri, punëtorë në konsullatë, prisnin votuesit dhe verifikonin edhe përmes letërnjoftimit listën e votuesve për t’i orientuar ata drejt katit të tretë ku ndodhen lokalet e Konsullatës kosovare.
Përderisa votuesit me radhë prisnin para ashensorit që të shkonin lart, të rinjtë zbrisnin me hapa të shpejtë djalosharë, në grupe të vogla. Në fytyrat e tyre shihej entuziazëm, shumë dashuri dhe shpresë.
Në katin e tretë në hyrje qëndronte një punonjës i sigurisë, përderisa përfaqësues të Konsullatës prisnin dhe i orientonin votuesit drejtë dy sallave ku ishin vendosur materiali dhe kutitë e votimit.
Pas një verifikimi të dytë të listës së votuesve përmes letërnjoftimit nga personat kompetentë të angazhuar nga Komisioni qendror i zgjedhjeve ( KQZ) votuesit, në radhë merrnin fletën e votimit dhe vendoseshin në vendin përkatës për të bërë zgjedhjen e tyre e më pas hidhnin votën e tyre në një kuti e cila mbikëqyrej nga një person i angazhuar nga KQZ.
Në sallë ishte një pritje e shkëlqyer nga njerëz të dashur.
Sa madhështore, thashë me vete: pritesh me përshëndetje në gjuhën shqipe dhe me aq dashuri. Ndoshta pikërisht edhe për ta përjetuar këtë ndjenjë, kisha zgjedhur të mos votoj përmes postës. Pra kisha zgjedhur të përjetoj këtë eksperiencë klasike, të ec gati njëzet minuta në rresht. Ndoshta për herë të parë këtu në Gjenevë po e ndjeja se sa peshë ka letërnjoftimi im i Kosovës. Isha e lumtur!
Rrugës duke iu afruar Konsullatës, shikimi ndeshej me shqiptarë që tashmë ktheheshin nga vendvotimi. Për herë të parë ndoshta ndeshja e shikimeve tona shndërrohej në përshëndetje. U njohëm s’u njohëm i buzëqeshnim njëri-tjetrit. Diçka e bukur përshkonte fytyrat tona. Diçka e ngrohtë përshkonte zemrat tona. Në sytë e njëri-tjetrit lexonim se kjo madhështi është Kosova.
Gra, burra, të rinj e të reja hynin e dilnin të qetë. Takova edhe një vendas timin, Naimin që kishte ardhur nga Lozana. Pimë kafe bashkë. Afër nesh në një tavolinë tjetër ishte ulur edhe një grup tjetër që po pinin kafe.
U përshëndetëm, ndërruam ca fjalë në shenjë humori: « votuat edhe ju për mua »; « po po patjetër… »; «unë vetëm kokat e grave të zgjuara në listë po i kërkoja, s’mu dukën mjaft, zgjodha dhe dy tre burra… » sikur të ishim në mes të Gjilanit e jo në Gjenevë.
Mësuam sipas zyrtarëve të KQZ-së se ishin gjithsej njëmijë persona të regjistruar që të votonin në këtë përfaqësi të Republikës së Kosovës.
Sa pak, iu thash atyre. Ndjeva keqardhje!
Për një moment mu kujtuan fluturimet e avionëve, nisjet e autobusëve dhe një numër i madh i veturave private që ishin nisur për në Kosovë.
« Kanë shkuar shqipet në vend që të votojnë » thashë me zë.
Ndërkohë dëgjoja një zë të brendshëm tek më tingëllonte: «kanë shkuar të votojnë atje, shqipet kanë shkuar jo vetëm ta shijojnë erën e demokracisë por edhe ta ndjejnë më për së afërmi erën e lirisë, se Kosova po shpëtohet nga kriminelët, klanet e injorancës e të marrëzisë… »!
The post Kosova votoi sot edhe në Gjenevë: Pesha historike e një date appeared first on Albinfo.