“Kosovë po largohem. Jo sepse dua, por sepse më detyrove”

Letra e një të riut nga që po braktis Kosovën The post “Kosovë po largohem. Jo sepse dua, por sepse më detyrove” appeared first on Albinfo.

“Kosovë po largohem. Jo sepse dua, por sepse më detyrove”

Ikja e të rinjve nga Kosova është në dukuri që po vazhdon ende edhe në vitin 2025, përcjell albinfo.ch.

Mundësia e punësimit për të rinjt në fushën që ata duan, shpeshherë është e vështirë.

Këtë realitet e rrëfen edhe Kushtrim Gjinovci, i riu nga Skenderaj, i cili ka vendosur t’i japë fund përpjekjes për të ndërtuar një të ardhme në vendlindjen e tij,

Përmes profilit të tij në rrjetet sociale, ai ka thënë se po largohet nga Kosova, jo nga dëshira e tij por nga detyrimi.

“Kosovë po largohem. Jo sepse dua, por sepse më detyrove. Po iki nga toka që më rriti, më mësoi të dua, të ëndërroj, të shpresoj – por që nuk më dha mundësinë t’i realizoj ato ëndrra. Kosova ime, e dashur dhe e dhimbshme, sa herë kam pritur që të ndryshosh, që të bëhesh vend i mundësive dhe jo i padrejtësive, vend i punës e jo i lidhjeve, vend i meritës e jo i miqësive. Kam pritur, duruar, shpresuar… derisa shpresa filloi të bëhet plagë. E di që nuk jam i pari që largohet. Por çdo ikje është një humbje – për ty, për ne, për të ardhmen”, ka shkruar Gjinovci.

Po ashtu, ai tha se ka tentuar disa herë të ndërtojë një jetë në vendlindjen e tij por përpjekja e tij tashmë ka mbaruar.

“Kam dashur të ndërtoj jetën këtu. Të kontribuoj, të qëndroj pranë familjes, të jetoj me dinjitet. Por më mësove që këtu nuk mjafton të jesh i dijshëm, i ndershëm dhe punëtor. Më mësove që ëndrrat këtu kanë afat skadimi. Po largohem me zemrën e rënduar, por me kokën lart. Sepse kam bërë gjithçka që kam mundur – kam mësuar, kam punuar, kam duruar. Tani është koha të mendoj për të ardhmen time, larg teje, ndoshta për herë të fundit. Kjo nuk është urrejtje. Është zhgënjim. Dhe zhgënjimi është formë dashurie që nuk ka gjetur kthim”, ka shkruar tutje Gjinovci.

Tutje ai u shpreh se Kosova i dha emrin atij por jo edhe të ardhmen.

“Lamtumirë Kosovë, ti që më dhe emrin, por nuk munde të më japësh të ardhmen. Ti që më mësove të dua tokën, por ma shkele mundësinë për të ecur mbi të me dinjitet. Po shkoj… me një valixhe shprese dhe me një zemër që dhemb për ty, më shumë se për veten.  Unë, biri yt i lodhur… por gjithmonë i yti!”, është shprehur Gjinovci.

The post “Kosovë po largohem. Jo sepse dua, por sepse më detyrove” appeared first on Albinfo.