Kriza me buxhetin në Francë: Qeveria franceze në udhëkryq
Kryeministri Bayrou ka ngritur çështjen e votëbesimit. Nëse politikani i qendrës dështon më 8 shtator, prapë mund të rrëzohet qeveria në Francë. François Bayrou u duk më i qetë nga sa pritej javën e kaluar, kur tha me zë të përmbajtur, se i kishte kërkuar Presidentit të thërriste një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit më [...]Read More...

Kryeministri Bayrou ka ngritur çështjen e votëbesimit. Nëse politikani i qendrës dështon më 8 shtator, prapë mund të rrëzohet qeveria në Francë.
François Bayrou u duk më i qetë nga sa pritej javën e kaluar, kur tha me zë të përmbajtur, se i kishte kërkuar Presidentit të thërriste një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit më 8 shtator, ku do të votohej për një votëbesim para se të fillonin debatet për buxhetin.
Me këtë vendim të habitshëm, Kryeministri shpreson të fitojë mbështetje për buxhetin e planifikuar të kursimit, i cili po has në kundërshtim të gjerë në Francë. Qeveria e pakicës po planifikon kursime prej pak më shumë se 44 miliardë eurosh për të ulur deficitin në 4.6 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB) vitin e ardhshëm – që është ende larg kritereve të BE-së. Ndër masat simbolike është anulimi i dy festave zyrtare.
Me këtë votëbesimin, Bayrou po ndërmerr një hap që kërcënon më shumë sesa vetëm karrierën e tij. Nëse dështon, Presidenti Emmanuel Macron do të detyrohet të zëvendësojë kryeministrin e katërt dhe të emërojë një kryetar të pestë qeverie brenda rreth 600 ditësh – pas Élisabeth Borne, Gabriel Attal dhe Michel Barnier.
Një nivel ndryshimesh që përndryshe njihet në Francë vetëm nga koha e Republikës së Tretë.
Politika e krahasueshme me vitet 1932/33?
Në atë kohë, në fillim të viteve 1930, Franca po vuante nga pasojat e Depresionit të Madh. Qeveritë vinin e shkonin, kryeministrat binin çdo muaj. Midis viteve 1932 dhe 1933, Republika e Tretë kaloi nëpër gjashtë kryetarë qeverish. Një rekord që flet për paralizën e saj politike.
Shkaku ishte pothuajse gjithmonë i njëjtë: mosmarrëveshja mbi buxhetin. Rritjet e taksave, shkurtimet, taksat speciale – të gjitha këto plane dështuan. Kështu, buxheti u bë një pengesë që minoi besimin në demokraci dhe paralizoi Republikën e Tretë.
Dilema e Bayrou-së
Nëntëdhjetë vjet më vonë, disa gjëra duken të ngjashme. Franca sot është e ngarkuar nga një mal borxhesh që tejkalon 3 trilionë euro, dhe barra e interesit i ha dhjetëra miliarda nga buxheti çdo vit.
Brukseli po nxit masa shtrënguese, ndërsa tregjet financiare po i ndjekin nga afër politikëbërësit parizienë. Pas njoftimit të Bayrou-t, tregu i aksioneve reagoi me rënie çmimesh dhe rritje të normave të interesit për obligacionet qeveritare, të cilat këtë muaj madje tejkaluan përkohësisht nivelet e Greqisë. Pa një plan të besueshëm konsolidimi, Parisi përballet me një ulje të vlerësimit nga agjencitë e vlerësimit.
Me buxhetin e saj, qeveria po mbështetet në një përzierje të shkurtimeve të subvencioneve, rritjes së frenuar të shpenzimeve sociale dhe rritjes së moderuar të taksave për ata që kanë të ardhura të larta – një qasje “e lehtë shtrënguese” që ekonomistët e kanë kërkuar prej vitesh. Por problemi nuk qëndron te shifrat, por tek Parlamenti./DW/