Kryetari Shehu përmbush një tjetër premtim: Çerdhja moderne hap dyert për fëmijët e Junikut

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar për realizimin e një prej projekteve kryesore të premtuara gjatë fushatës së vitit 2021, hapjen e çerdhes moderne për fëmijët e komunës. Deri më tani, fëmijët e moshës 3–5 vjeç ishin të vendosur në objektin e Shkollës Fillore “Edmond Hoxha”, i cili nuk i plotësonte standardet […]

Kryetari Shehu përmbush një tjetër premtim: Çerdhja moderne hap dyert për fëmijët e Junikut

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar për realizimin e një prej projekteve kryesore të premtuara gjatë fushatës së vitit 2021, hapjen e çerdhes moderne për fëmijët e komunës.

Deri më tani, fëmijët e moshës 3–5 vjeç ishin të vendosur në objektin e Shkollës Fillore “Edmond Hoxha”, i cili nuk i plotësonte standardet e nevojshme për edukimin parashkollor. Nga sot, ata kanë kaluar në objektin e ri, i cili është ndërtuar sipas kushteve dhe standardeve bashkëkohore, duke ofruar hapësira të sigurta dhe funksionale për fëmijët e moshave 9 muajsh deri në 5 vjeç.

Kryetari Shehu e cilësoi këtë projekt si një hap të madh drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për gjeneratat e reja në Junik.

“Investimi në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve është themeli i një të ardhmeje më të mirë për Junikun. Me këtë hap po krijojmë kushte më të mira për fëmijët, siguri më të madhe për prindërit dhe një perspektivë më të fortë për gjithë komunitetin tonë”, u shpreh kryetari.

Kjo çerdhe moderne, sipas tij, është një dëshmi e qartë se premtimet e dhëna nuk kanë mbetur vetëm fjalë, por janë shndërruar në projekte konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Fëmijët e Junikut tashmë do të rriten dhe edukohen në kushte më të mira, duke e bërë këtë investim një nga arritjet më të rëndësishme për komunën.