Kryqi i Kuq Ndërkombëtar: Gaza, më keq se ferri në tokë
Presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Mirjana Spoljaric, deklaroi se situata në Gaza është bërë “më keq se ferri në tokë”, duke ngritur alarmin për gjendjen humanitare të popullsisë palestineze. Në një intervistë për BBC nga selia e ICRC-së në Gjenevë, Spoljaric u shpreh se “njerëzimi po dështon” dhe se shtetet nuk [...]Read More...

Presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Mirjana Spoljaric, deklaroi se situata në Gaza është bërë “më keq se ferri në tokë”, duke ngritur alarmin për gjendjen humanitare të popullsisë palestineze.
Në një intervistë për BBC nga selia e ICRC-së në Gjenevë, Spoljaric u shpreh se “njerëzimi po dështon” dhe se shtetet nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës, për të ndalur vuajtjet e palestinezëve dhe për të siguruar lirimin e pengjeve izraelite.
Ajo theksoi se palestinezëve u është mohuar dinjiteti njerëzor, ndërsa ligji ndërkombëtar humanitar po shpërfillet në mënyrë të vazhdueshme. “Ajo që po ndodh në Gaza tejkalon çdo standard të pranueshëm ligjor, moral dhe human”, tha Spoljaric.
ICRC-ja është një organizatë ndërkombëtare që operon në zonat e konfliktit dhe ka mbi 300 punonjës në Gaza, shumica prej tyre palestinezë. Spitali kirurgjik i organizatës në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, ndodhet më afër zonave ku së fundmi shumë civilë janë vrarë gjatë shpërndarjes kaotike të ndihmave pranë vendeve të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA.
Sipas ICRC-së, mëngjesin e djeshëm, ekipet kirurgjikale në Rafah pranuan 184 pacientë. Ndër ta, 19 persona kishin humbur jetën në momentin e mbërritjes dhe 8 të tjerë ndërruan jetë për shkak të plagëve të rënda. Kjo ishte ngjarja me numrin më të lartë të viktimave të regjistruar ndonjëherë në këtë spital që prej themelimit të tij më shumë se një vit më parë.
ICRC-ja është ruajtësja zyrtare e Konventave të Gjenevës, të cilat rregullojnë mbrojtjen e civilëve gjatë luftës. Konventa e katërt, e miratuar pas Luftës së Dytë Botërore, ka për qëllim të garantojë sigurinë e popullatës civile në konflikte të armatosura.
Spoljaric theksoi se rregullat e luftës vlejnë për të gjitha palët në konflikt dhe se sulmet e Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023 nuk mund të përdoren si justifikim për zhvillimet aktuale. Ajo shprehu shqetësimin e thellë të organizatës për retorikën që synon fitoren me çdo kusht, luftën totale dhe çnjerëzimin e palës tjetër./abcnews.al