Kthimi nga Zvicra në Kosovë: Rruga e Kreshnik Niko Tolajt nga boksi në biznes

Historia e Kreshnik – Niko Tolajt është një shembull frymëzues për të gjithë ata që dëshirojnë të ndërtojnë një të ardhme të suksesshme në vendin e tyre The post Kthimi nga Zvicra në Kosovë: Rruga e Kreshnik Niko Tolajt nga boksi në biznes appeared first on Albinfo.

Kthimi nga Zvicra në Kosovë: Rruga e Kreshnik Niko Tolajt nga boksi në biznes

Shumë shqiptarë të diasporës ëndërrojnë një rikthim në vendlindje, por pak janë ata që e realizojnë me sukses. Kreshnik Niko Tolaj është një prej tyre. Pas shumë viteve të jetesës dhe punës në Zvicër, ai vendosi të rikthehet në Kosovë për të ndërtuar një biznes të suksesshëm dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Me një vizion të qartë, përvojë të fituar në gastronomi dhe një pasion të madh për sipërmarrjen, ai arriti të krijojë kompaninë FT CONNECTION me shërbim të pastrimit dhe gjelbërimit. Historia e tij është një shembull frymëzues për të gjithë ata që dëshirojnë të ndërtojnë një të ardhme të suksesshme në vendin e tyre.

Albinfo.ch: Si nisi karriera juaj?

Kreshnik Niko Tolaj: Unë kam punuar dhjetë vjet në restorante dhe gastronomi para se të kthehesha këndej. Karriera ime ka filluar që kur isha tetë vjeç. Herën e parë kam punuar me një furre dhe detyra të ndryshme që në moshën tetë vjeç. Kam parë këtë në filma, ku djemtë rinj kërkojnë punë, jo për shkak të një gjendje të keqe, por thjesht për dëshirën për të punuar.

Albinfo.ch: Keni një fillim mjaft të hershëm. Si ishte ajo periudhë për ju?

Kreshnik Niko Tolaj: Ishte një mundësi për të kërkuar vetë dhe për të krijuar eksperiencë. Shkoja në shkollë dhe punoja pas saj. Kishim shefja dhe pronare që na jepnin mundësinë të punonim. Shefi ishte shumë i mirë dhe vlerësonte angazhimin tonë. Ishte një periudhë ku fillova të mësoja shumë dhe të merrja përgjegjësi.

Albinfo.ch: Si ndodhi kalimi nga puna në restorante në hapjen e një biznesi tuajin?

Kreshnik Niko Tolaj: Pas shumë përpjekjeve dhe punës, progresi ishte i shpejtë dhe u pavarësova më shpejt. Pasi mbarova shkollën, nuk isha shumë ambicioz për të vazhduar atje, sepse e dija që mund të arrija më shumë duke marrë rreziqe dhe duke guxuar. Pas një periudhe sfidash, më shumë besim te vetja dhe te Zoti, vendosa të hap biznesin tim.

Albinfo.ch: Kur u kthyet në Kosovë, kishit ndonjë plan të veçantë?

Kreshnik Niko Tolaj: Po, kur u ktheva në vitin 2017, isha tashmë një person i pavarur me një vizion dhe projekt. Vendosa të hap biznesin  në Kosovë, duke u fokusuar në pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve, një shërbim që ishte në mungesë, sidomos në sektorin privat.

Albinfo.ch: Po si ka shkuar ky biznes deri tani?

Kreshnik Niko Tolaj: Po, tani kam disa biznese në Kosovë. Kemi një kompani FT CONNECTION që ofron pastrim dhe kopshtari. Kemi dhjetë punëtorë dhe operojmë në të gjithë Kosovën. Kjo ka qenë një mundësi e madhe, sepse kam parë një kërkesë të madhe për këto shërbime.

 

Albinfo.ch: Një aspekt tjetër i karrierës suaj është sporti, përkatësisht boksi. A mund të na tregoni më shumë rreth kësaj?

Kreshni Niko Tolaj: Po, kam qenë gjithashtu i angazhuar në sport, konkretisht në boks. Kam pasur një pasion të madh për boksin dhe e kam ndjekur në mënyrë profesionale. Kjo ka qenë një periudhë e rëndësishme në jetën time, sepse më ka mësuar shumë për disiplinën, fuqinë mendore dhe përballimin e sfidave. Boksi më ka ndihmuar të forcoj karakterin dhe të mbaj një nivel të lartë angazhimi, që më ka shërbyer shumë edhe në karrierën time të biznesit.

Albinfo.ch: Çfarë tjetër keni në planet e ardhshme?

Kreshnik Niko Tolaj: Po, tani kemi planifikuar të hapim një fabrikë për prodhimin e çokollatës “Habibisë” në Dubai, një brend i ri që do ta promovojmë edhe në Kosovë. Ky është një projekt i madh, dhe kemi plane për aktivitete promovuese në Prishtina Mall ku vajzat që do ta promovojnë këtë produkt do të kenë veshje speciale si stjuardesa të Emirateve të Bashkuara.

Albinfo.ch: A mund të na flisni për përfshirjen e gruas në këto projekte?

Kreshnik Niko Tolaj: Po, një nga objektivat tona është fuqizimi i rolit të gruas në sektorin ekonomik. Përmes brendit tonë, synojmë të promovojmë dhe të fuqizojmë gratë. Për më tepër, bashkëshortja ime është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij biznesi.

Albinfoch.: Dhe sa i përket fondacionit që keni hapur, si lindi ky impenjim shoqëror?

Kreshnik Niko Tolaj: Pas lindjes së djalit, vendosa të hap një fondacion, “Artur Tolaj”. Ky fondacion ka për qëllim të ndihmojë ata që janë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale. Kemi ofruar mbështetje për fëmijë dhe familje, sidomos gjatë festave të fundvitit.

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi do të jepni për të rinjtë që kërkojnë mundësi jashtë vendit?

Kreshnik  Niko Tolaj: Do t’u sugjeroja të mendojnë mirë se çfarë mund të bëjnë dhe çfarë mund të kontribuojnë për shoqërinë e tyre. Mundësitë janë atje ku jemi, dhe gjithmonë ka mundësi për zhvillim dhe sukses, pavarësisht se mund të duket më e lehtë të largohesh. Çdo vend ka mundësi, por duhet të keni një qëllim të qartë dhe të angazhoheni për të arritur atë.

Rruga e Kreshnik Niko Tolajt është një frymëzim për çdo të ri që kërkon mundësi dhe sukses edhe në vendlindje. Ai na tregon se nuk ka asnjë rrugë të shkurtër për të arritur qëllimet e mëdha, por gjithçka fillon me një hap të guximshëm. Suksesi nuk vjen pa përpjekje, por me besimin se çdo hap i mundimshëm çon më pranë qëllimit. Historia e Niko Tolajt është një testament i forcës së karakterit, disiplinës dhe pasionit që e udhëhoqën në ndërtimin e një rrjeti biznesesh dhe është një kujtesë se mundësitë janë kudo, në çdo hap që marrim, mjafton të besojmë në veten tonë.

 

 

The post Kthimi nga Zvicra në Kosovë: Rruga e Kreshnik Niko Tolajt nga boksi në biznes appeared first on Albinfo.