Kusari-Lila kërkon diskutim mes forcave politike para 15 prillit, ka mesazhe dhe për PDK dhe Bedri Hamzën

Deputetja e zgjedhur Mimoza Kusari -Lila, në një intervistë për Euronews Albania ka konfirmuar se kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti po përballet me telashe për formimin e Qeverisë së re. Përkundër se deputetë të VV’së të enjten kanë deklaruar se ky subjekt i ka “siguruar numrat” për krijimin e institucioneve, Kusari-Lila ka konfirmuar të kundërtën.

Kusari-Lila kërkon diskutim mes forcave politike para 15 prillit, ka mesazhe dhe për PDK dhe Bedri Hamzën

Deputetja e zgjedhur Mimoza Kusari -Lila, në një intervistë për Euronews Albania ka konfirmuar se kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti po përballet me telashe për formimin e Qeverisë së re.

Përkundër se deputetë të VV’së të enjten kanë deklaruar se ky subjekt i ka “siguruar numrat” për krijimin e institucioneve, Kusari-Lila ka konfirmuar të kundërtën. Ajo ka theksuar se u mungojnë 61 vota.

E pyetur për një bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës për formimin e Qeverisë, Kusari -Lila ka dhënë opinionin e saj për këtë subjekt duke thënë se nuk janë reformuar.

“Deri më tani, nuk e kam parë dëshirën për reformë të mirëfilltë strukturore nga shumë bagazhe të së kaluarës që e kanë përcjellë. Kanë qenë ndoshta subjekti me infiltrimin më të madh në struktura të shtetit, në kuptimin e ndërhyrjes apo të krijimit të sistemeve që mund të quhen paralelizma dhe nuk është pak sfidues bashkëpunimi me ta”, ka thënë ajo.

“Megjithatë në situatën e diskutimit të një bashkëpunimi, unë mendoj që para se të flasim për individë apo pozicionet, do duhej të ishin të përcaktuara objektivat, e në këto objektiva fatkeqësisht ende s’ka arrit diskutimi deri këtu”, ka shtuar Kusar-Lila.

Deputetja Kusari Lila ka përmendur edhe Bedri Hamzën  duke thënë se “ai më tepër ka treguar gatishmëri për të marrë mandatin, por që në aspektin e objektivave shtetërore kemi dëgjuar pak’

“Unë do të doja që në këto ditë të mbetura të kemi një diskutim përbrenda në Kosovë, forcat politike, mbi atë se cilat janë urgjencat për Republikën e Kosovës më shumë se sa cilat janë kërkesat, inatet apo idhnimet e liderëve të partive politike të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për raportet personale me këtë subjekt duke rikujtuar edhe bashkëpunimet me ta në të kaluarën në Qeverinë Thaçi 2, (2011-2013).

“Sulmet më të rënda më të vrazhda e mos të them  më të pista i kam pasur nga ky subjekt, përkundër që kemi bashkëpunuar”, ka theksuar ajo.

“Kur vjen puna e luftës, e bëjnë në një formë të egër dhe jo njerëzore dhe dehumanizimin kryesor që mundohen t’ua bëjnë oponentëve politikë e kam parë tek ata”, ka shtuar Kusari -Lila.