PDK: Kuvendi ka edhe 13 ditë për Presidentin, ndryshimin e Ligjit për Specialen dhe shmangien e zgjedhjeve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Në një komunikatë për media, PDK ka vlerësuar se vendimi i Kushtetueses u jep përgjigje shqetësimeve që kjo parti ka ngritur lidhur me tejkalimin e afateve kushtetuese dhe nevojën për funksionalizimin e institucioneve.
“PDK e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë. PDK vlerëson se vendimi u jep përgjigje shqetësimeve që ka ngritur për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale”, thuhet në komunikatë.
Sipas PDK-së, që nga muaji gusht ka kërkuar përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, ndërsa vonesat e njëpasnjëshme, sipas saj, kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të Kuvendit dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale.
“PDK ka kërkuar që kriza të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve. Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve”, thuhet më tej në komunikatë.
Partia ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera.
PDK ka theksuar se, sipas saj, Kuvendi ka edhe 13 ditë në dispozicion për të përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme.
“Kuvendi i ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e të panevojshme”, thuhet në komunikatë.
PDK ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet si pikë e parë në rendin e ditës.
“Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore është prioritet kombëtar në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, përfundon komunikata.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



