LDK ‘e trazuar’ sot mban mbledhje të kryesisë për të përcaktuar “pozicionin politik paszgjedhor”: Çka pritet?

Përcaktimi ose rishikimi “i pozicionit politik të LDK-së pas rezultatit final”. Për sy e faqe (ose jo) kjo është një nga pikat në rend të ditës në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës – e para që nga konkludimi zgjedhor dhe mes një ‘lluge’ të krijuar nga akuzat nga jashtë dhe të ndërsjella

LDK ‘e trazuar’ sot mban mbledhje të kryesisë për të përcaktuar “pozicionin politik paszgjedhor”: Çka pritet?

Përcaktimi ose rishikimi “i pozicionit politik të LDK-së pas rezultatit final”.

Për sy e faqe (ose jo) kjo është një nga pikat në rend të ditës në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës – e para që nga konkludimi zgjedhor dhe mes një ‘lluge’ të krijuar nga akuzat nga jashtë dhe të ndërsjella për votat me postë nga diaspora.

Këtë mbledhje kryetari Lumir Abdixhiku e ka thirrir për sot në ora 14:00.

Qëndrimi përgjithësues deklarativ i LDK-së e ka lënë shumëkënd në habi që nga përfundimi zgjedhor – kur Abdixhiku ka operuar me fraza “do ta respektojmë vullnetin popullor”, i cili, sipas tij, ka votuar që LDK të jetë “në opozitë”.

Qëndrimet e LDK-së – së paku në ç’ka kanë synuar të depërtojë te publiku – është që janë ose për të qëndruar në opozitë ose për të shkuar në zgjedhje të reja.

Kjo, në rrafshin politik është interpretuar e lexuar nga politikanë që sytë i kanë kah eventualiteti i bërjes së një qeverie të opozitës në rast të dështimti të VV-së për të krijuar shumicë parlamentare, si “rritje pazari”.

Akterë të PDK-së dhe AAK-së e kanë lexuar, po ashtu, paeukivoke si “rritje pazari”.

Hiç më larg se sot, megjithatë – një qëndrim ‘deviant’ nga ç’është lënë të kuptohet prej LDK-së është ai i Gazmend Muhaxherit – nënkryetar i partisë.

Muhaxheri foli formalisht se VV-së i bie të parës të provojë të ndërtojë shumicë parlamentare për ta përkthyer në qeveri – dhe se, në rast se kjo s’bëhet dhe i bjen partisë së dytë më të madhe, tha se “do ta shohim”.

“Nuk mund të marrim vendime derisa të jenë takuar lidershipi partiak dhe të diskutohet çështja. Tash presim rezutlatet finale dhe pastaj të përcaktojmë pozicionin tonë”, tha ai.

“Shansi i parë për formim të qeverisë i takon VV-së, por nëse kalon te partia e dytë më e madhe, atëherë do të shohim. Po presim zhvillimet politike ditëve në vijim”, tha Muhahxheri në OBCT.

Diskursi (para)elektoral i LDK-së ishte etabluar që si parti hynë në koalicion – “pa vija të kuqe” – vetëm me Lumir Abdixhikun kryeministër.

Zyrtarë të rëndësishëm të saj, si Arben Gashi, s’e përjashtonin as Vetëvendosjes.

“Nuk përjashtohet as VV-ja, që mund të jetë brenda, por nuk është preferencë e parë” – pati thënë Gashi në një intervistë te Vehbi Kajtazi.

Një muaj që nga zgjedhjet…

Konfuzioni ende mbizotëron se kush mund ta bëjë qeverinë: dhe kush me kënd?

Lëvizja Vetëvendosje përjashton të gjithë dhe paramendon të mund të ndërtojë shumicë parlamentare dhe qeveri vetëm – por, s’i ka numrat askund në horizont.

PDK përjashton Lëvizjen Vetëvendosjen, dhe i mban sytë kah opozita shumicë shqiptare.

AAK përjashton Vetëvendosjen, dhe po ashtu e mban vështrimin kah opozita shumicë shqiptare.

NISMA ka dalë në rrafsh të paqartë që në masë të gjerë u pa edhe/edhe.

LDK përjashton koalicion edhe me Vetëvendosjen, por edhe me opozitën – duke qëndruar ose për zgjedhje të reja ose për të qëndruar sërish në opozitë.

Se si do të bashkohen këto pika – që asnjëra s’bëjnë shumicë parlamentare për të ndërtuar qeveri: mbetet të shihet pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja