Lideri i opozitës turke nën shënjestrën e drejtësisë, prokurorët nisin hetim ndaj tij

Prokurorët kanë hapur një hetim ndaj kreut të partisë kryesore të opozitës në Turqi, Partia Popullore Republikane (CHP), me akuza për kërcënim dhe fyerje ndaj kryeprokurorit të Stambollit, duke e shtuar këtë zhvillim në kuadër të një goditjeje të gjerë ndaj opozitës. Fushata e presionit është përqendruar te kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, [...]Read More...

Lideri i opozitës turke nën shënjestrën e drejtësisë, prokurorët nisin hetim ndaj tij

Prokurorët kanë hapur një hetim ndaj kreut të partisë kryesore të opozitës në Turqi, Partia Popullore Republikane (CHP), me akuza për kërcënim dhe fyerje ndaj kryeprokurorit të Stambollit, duke e shtuar këtë zhvillim në kuadër të një goditjeje të gjerë ndaj opozitës.

Fushata e presionit është përqendruar te kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili është rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe, sipas disa sondazheve, gëzon përkrahje më të madhe se ai. Imamoglu, që vjen nga radhët e CHP-së, u arrestua në mars dhe ndodhet në paraburgim në pritje të gjyqit për akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon.

Zëdhënësi i CHP-së, Deniz Yücel, kritikoi vendimin për hapjen e hetimit.

“Ne nuk do t’i nënshtrohemi këtij sistemi të paligjshmërisë që keni krijuar,” shkroi ai në platformën X.

Arrestimi i Imamoglu-t në mars shkaktoi protesta masive, trazira ekonomike dhe akuza të gjera për ndikim të qeverisë mbi gjyqësorin si dhe për praktika antidemokratike. Qeveria i ka mohuar këto akuza, duke deklaruar se gjyqësori është i pavarur.

Që nga arrestimi i tij, autoritetet kanë arrestuar dhjetëra anëtarë të CHP-së, zyrtarë të bashkisë së Stambollit dhe të bashkive të tjera të drejtuara nga CHP-ja. Gjithashtu, aksesi në llogarinë e Imamoglu-t në X është bllokuar në Turqi gjatë këtij muaji. / abcnews.al