Nga Likofci nis “Zjarri i Lirisë”, do të ndizet në shtatë zonat e UÇK-së

Nga Likofci nis “Zjarri i Lirisë”, do të ndizet në shtatë zonat e UÇK-së

Në Shtabin e UÇK-së në Likofc është ndezur “Zjarri i Lirisë”, në kuadër të aktivitetit “7 Zona, 7 Zjarre, Një Luftë, Një Kujtesë, Drejtësi”, i cili u mbajt në praninë e qindra veteranëve dhe qytetarëve.

Zjarri simbolik u ndez nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli.

Gjatë tubimit, ish-ushtarë dhe ushtarë të UÇK-së folën për sakrificën e luftës çlirimtare, duke kujtuar dëshmorët dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.

Aktiviteti u zhvillua edhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Nisma “7 Zona, 7 Zjarre, Një Luftë, Një Kujtesë, Drejtësi” do të shtrihet në të shtatë zonat operative të UÇK-së, ku do të ndizen zjarre simbolike në nderim të luftës, dëshmorëve, veteranëve dhe sakrificës së popullit të Kosovës.

Aktivitetet do të vazhdojnë deri më 12 shtator, kur në Prishtinë pritet të mbahet “Marshi për Liri”.

Marshi do të nisë në ora 14:00 nga sheshi “Skënderbeu” dhe do të jetë në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.