Marshi për drejtësi dhe mbrëmja për Ukshin Hotin në Gjenevë 2026

Marshi për drejtësi dhe mbrëmja për Ukshin Hotin në Gjenevë 2026
Gjeneva do të organizojë, më 30 gusht 2026, një ditë të veçantë kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, duke mbledhur përfaqësues të autoriteteve, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe komuniteteve të ndryshme.
Në këtë ngjarje do të mbahet edicioni i dytë i Marshit për Drejtësi, një nismë e Shoqatës Kulturore Dora d’Istria, e cila do të bashkojë shoqata, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitete të ndryshme, duke përfshirë edhe komunitetin shqiptar të Kosovës.
Grumbullimi i pjesëmarrësve do të fillojë në orën 13:30 në Parc des Cropettes, ndërsa marshi do të nisë në orën 14:00. Kolona do të kalojë nëpër Rue de Montbrillant dhe Avenue de France, duke mbërritur në Place des Nations para OKB-së, ku deri në orën 17:00 do të zhvillohet programi zyrtar me fjalime, performanca artistike dhe homazhe për viktimat e zhdukjeve me forcë.
Në orën 19:00, dita do të vazhdojë me një mbrëmje të veçantë kushtuar Ukshin Hotit, figurë e rëndësishme e Kosovës, i rrëmbyer me forcë më 15 maj 1999, një ditë para lirimit të tij nga Burgu i Dubravës, dhe që prej asaj dite rezulton i zhdukur.
Gjatë kësaj mbrëmjeje do të prezantohet libri Conversation à travers les barreaux, i cili sjell në dritë trashëgiminë intelektuale të Ukshin Hotit. Ky libër përmbledh një dialog të jashtëzakonshëm midis Ukshin Hotit dhe Ismail Kadares, i cili u zhvillua gjatë burgimit të Hotit në Nish nga regjimi serb.
Përkthimi i këtij dialogu në gjuhën frënge është bërë nga Sébastien Gricourt, i cili do të jetë i pranishëm në këtë mbrëmje së bashku me Andin Hotin, djalin e Ukshin Hotit dhe ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ky projekt, i cili do të jetë tradicional, përkrahet nga Qyteti i Gjenevës, personalitete politike shqiptare dhe zvicerane, si dhe nga shoqata të ndryshme të shoqërisë civile gjenevase dhe aktorë të angazhuar për të drejtat e njeriut.
Të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë ditë solidariteti janë të mirëpritur. Në shenjë mbështetjeje për viktimat e zhdukjeve me forcë dhe familjet e tyre, pjesëmarrësit mund të sjellin një lule si gjest simbolik për kujtimin e tyre.
Së bashku, ta mbajmë gjallë kujtesën e tyre dhe të kujtojmë se:
“Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë.”
Kontaktet për media
Shoqata Kulturore Dora d’Istria
Gjenevë – Zvicër
Mirishahe Limani Hiler, Lisa Mazzone dhe Edon Duraku
E-mail: [email protected]
Telefoni: +41 79 607 46 74
Me pak fjalë
Gjeneva do të organizojë më 30 gusht 2026 një ditë të veçantë kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, duke përfshirë Marshin për Drejtësi dhe një mbrëmje të veçantë për nder të Ukshin Hotit. Ngjarja do të mbledhë përfaqësues të ndryshëm për të mbështetur kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë për viktimat e zhdukjeve me forcë.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



