Me këngë e valle tradicionale, kryeministri Rama pret në shesh liderët pjesëmarrës në Samit
Samiti i 6-të që mbahet është nën logon “New Europe in a new world”. The post Me këngë e valle tradicionale, kryeministri Rama pret në shesh liderët pjesëmarrës në Samit appeared first on Albinfo.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ndodhet në sheshin “Skënderbej” për të mirëpritur liderët e vendeve evropiane, të cilët do të marrin pjesë në Samit ditën e sotme.
Edhe pse moti nuk është i favorshëm, nuk kanë munguar këngët dhe vallet tradicionale në shesh.
Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane janë mbledhur ditën e sotme për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.
Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në samit, i cili mbahet nën moton: “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.
Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit.
Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit, përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin. Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
The post Me këngë e valle tradicionale, kryeministri Rama pret në shesh liderët pjesëmarrës në Samit appeared first on Albinfo.