Mediat zvicerane mbi pritjen e Kurtit si “yll roku” dhe “festimin e sukseseve” të tij, në Cyrih

"Tages Anzeiger": "Kryeministri kosovar pritet si yll roku në Cyrih". NZZ: Mbështetësit e Kurtit thonë: `Një njeri i tillë lind vetëm çdo 100 vjet` The post Mediat zvicerane mbi pritjen e Kurtit si “yll roku” dhe “festimin e sukseseve” të tij, në Cyrih appeared first on Albinfo.

Mediat zvicerane mbi pritjen e Kurtit si “yll roku” dhe “festimin e sukseseve” të tij, në Cyrih

Tubimi i madh elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje që u mbajt të enjten (mbrëmë) në Oerlikon të Cyrihut nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat zvicerane. Përkundrazi, në këtë tubim kishte një numër të madh gazetarësh, fotografësh dhe kameramanësh nga mediat elektronike dhe të shtypura, të Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Dy gazetat kryesore të këtushme “Tages Anzeiger” që konsiderohet e afërt me të majtën dhe “Neue Zürcher Zeitung”, e cila ka afërsi me të djathtën liberale (FDP) i kanë kushtuar kësaj ngjarjeje nga një artikull të zgjeruar dhe të ilustruar me shumë fotografi.

Në vazhdim, një përmbledhje e dy artikujve përkthyer dhe përgatitur nga albinfo.ch.

Tages Anzeiger në artikullin me titullin “Kryeministri kosovar pritet si yll roku në Cyrih”, shkruan, veç tjerash se të enjten, Albin Kurti ka emocionuar mijëra veta në një paraqitje në fushatën zgjedhore në Oerlikon (paralagje e Cyrihut). Artikulli, tjesht pasqyron atmosferën në këtë aktivitet dhe kryesisht ua jep fjalën shqiptarëve, pjesëmarrës të tubimit, pa i komentuar ata.

Tages Anzeiger: Rreth 3000 veta presin dy orë të dalë Kurti në skenë

“Ishte një performancë që nuk mund të shihet shumë shpesh në Zvicër. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri një paraqitje të enjten në fushatën zgjedhore për partinë e tij Vetëvendosje në sallën 622 në Cyrih Oerlikon. Kurti shpreson të arrijë një shumicë absolute në Parlamentin e Kosovës. Diaspora kosovare në Zvicër luan një rol thelbësor në këtë synim.

Dy orë para fillimit, disa dhjetëra presin të hyjnë. Ata kanë ardhur nga e gjithë Zvicra dhe vendet fqinje. Përfshirë shumë të rinj të rritur, kryesisht burra. Njëri prej tyre është Arianit Hyseni, 29 vjeç, CEO në një kompani sigurimesh në kantonin e Cyrihut.

Një burrë qëndron në një sallë e mbushur përplot 622 në Oerlikon, Cyrih. Salla është e ndezur me të kuqe dhe shumë njerëz mund të shihen në sfond.

Në të kaluarën, ai ishte veçanërisht i interesuar për politikën në Zvicër, thotë Hyseni, i rritur në kantonin e Cyrihut. “Që kur Kurti erdhi në pushtet, kam ndjerë se politika mund të bëjë ndryshime në Kosovë”, thotë ai. Kështu ka ndodhur edhe me shumë njerëz rreth tij.

Kurtit i duhen gati dy orë që të paraqitet në skenën e Oerlikonit. Deri atëherë, rreth 3000 personat që presin do të përjetojnë: pamjet me dron të sallës plot në ekranin e madh, valle tradicionale shqiptare dhe këngëtaren Edona Llalloshi duke kënduar këngë patriotike. Para Kurtit flet bashkëkryetari i PS-së së Zvicrës, Cédric Wermuth, i cili ka pasur kontakte të kahershme me partinë e Kurtit. “Ne po luftojmë të njëjtën betejë,” thotë ai.

Por preokupimi qendror i Kurtit, me të cilin ai kishte kandiduar katër vjet më parë dhe për të cilin shumë këtu në Oerlikon e mbështesin me entuziazëm, është lufta kundër korrupsionit. “Për herë të parë që nga lufta ka diçka si një frymë optimizmi,” thotë Mirsim Aliu, i cili ka udhëtuar nga Berna në Cyrih, me djalin e tij. Ai thotë se do të shkojë në Kosovë më 9 shkurt për të votuar.

“Shifrat ekonomike aktualisht dëshmojnë se Kurti ka të drejtë. Që nga inaugurimi i tij në vitin 2021, fuqia ekonomike e Kosovës është rritur për 6 për qind në vit dhe shkalla e papunësisë ka rënë nga 26 në 11 për qind. Kryeministri shënon pikë edhe me politikën e tij sociale”, shkruan gazeta.

Halid Hasani, i cili ka udhëtuar nga Thurgau me gruan e tij Vjollcën,, thekson luftën e Kurtit për sovranitetin e Kosovës. “Ai vazhdimisht mbron vendin nga ndikimi serb në Kosovë,” thotë ai. Kjo është arsyeja pse ai e ka zgjedhur atë – dhe kjo është arsyeja pse ai është kaq popullor.

Kurti në fakt e kishte ndaluar dinarin serb një vit më parë, monedha ishte e paligjshme dhe ata thjesht e kishin toleruar deri atëherë. Ai ka mbyllur institucionet serbe, si zyrat postare në veri të Kosovës etj. Kurti u kritikua nga BE-ja për këtë veprim arbitrar. “Kjo është një nga arsyet pse ai konsiderohet si luftëtar për sovranitet”, thotë Hasani.

Njomza Gutaj ka humbur tubimin në Oerlikon, për arsye pune. Kjo grua nga Zvicra me rrënjë kosovare është eksperte financiare në një kompani ndërkombëtare dhe ndjek nga afër ngjarjet në Kosovë. “Nuk mund ta reduktosh Kurtin vetëm në luftën e tij për sovranitet, siç bëjnë disa media perëndimore” thotë ajo për gazetën (në telefon) në ditën e paraqitjes së Kurtit në fushatën zgjedhore, në Cyrih.

Shumë njerëz në diasporë votojnë për të, sepse ai ka premtuar kushte të qëndrueshme ekonomike, të cilat tashmë ka arritur t’i realizojë pjesërisht. Gutaj ve në pah me këtë rast shtesat e fëmijëve, të cilat i konsideron veçanërisht të rëndësishme për gratë. Megjithatë, ai ende nuk ka mundur të zbatojë ndonjë reformë të gjerë. Gutaj thotë gjithashtu: “Gjërat për të cilat angazhohet Kurti janë të vetëkuptueshme në Zvicër, është punë në bazë demokratike”.

Ndërsa Kurti del në skenë, rriten ovacionet. Flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës valëviten nëpër sallë. Ai flet për sukseset e tij në katër vitet e fundit. Ai falënderon sërish Zvicrën që ka pranuar kaq shumë refugjatë nga Kosova gjatë luftës.

Kurti po përpiqet gjithashtu të shfrytëzojë votuesit e mundshëm në Zvicër. Këtë po përpiqen ta bëjnë edhe politikanë të tjerë kosovarë, ndër të cilët edhe babai i Granit dhe Taulant Xhakës. Por ata janë shumë më pak të suksesshëm: në zgjedhjet parlamentare katër vjet më parë, tri të katërtat e të gjithë shqiptarëve të Kosovës që votuan jashtë, e mbështetën partinë e Kurtit Vetëvendosje. Këtë vit, ekspertët presin 40 deri në 50 për qind të votave  të jashtme për Vetëvendosjen.

Në Sallën 622 kishte në fakt vetëm një shtysë: entuziazmi. Pa marrë parasysh se çfarë thoshte Kurti, qoftë ngritja e posteve policore në kufirin serb, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja dhe promovimi i njerëzve me probleme, rritja e shpenzimeve për pensione, armatimi i ushtrisë apo lulëzimi i sektorit privat: ai ishte i sigurt se do të merrte duartrokitje të forta.

NZZ: “Flamuri shtetëror i Kosovës, në pozitë inferiore në krahasim me shqiponjën dykrenare”

“Albin Kurti bën fushatë në Oerlikon. Ai feston sukseset dhe veten e tij para 3000 bashkatdhetarëve” dhe “Kryeministri i Kosovës brohoritet nga mbështetësit e tij me fjalët `Një njeri i tillë lind vetëm çdo 100 vjet`, shkruan gazeta tjetër zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” në titullin e artikullit mbi Kurtin.

Në një artikull që aty-këtu përshkohet nga nota ironike, gazeta prestigjioze zvicerane përshkruan gjerësisht atmosferën e mbrëmjes.

“Ylli i mbrëmjes është Albin Kurti, kryeministri i Kosovës. Është një fushatë zgjedhore. Vendi do të zgjedhë një parlament të ri më 9 shkurt. Kurti dëshiron të mobilizojë diasporën kosovare në Cyrih, për partinë e tij. Por flamuri shtetëror i Kosovës – sfondi blu, korniza e artë që rrethon hartën e vendit, gjashtë yje të bardhë mbi të – është në pozitë inferiore në krahasim me shqiponjën dykrenare: Një flamur i Kosovës është në skenë, një i dytë valëvitet në publik, i qepur bashkë me flamurin shqiptar.

Diaspora e Kosovës luan një rol të rëndësishëm në zgjedhje. Në Zvicër jetojnë rreth 250 mijë njerëz me rrënjë kosovare. Vetë Kosova ka 1.8 milionë banorë. Politikanët nga të tri partitë kryesore të Kosovës po bëjnë fushatë me padurim për vota jashtë vendit.

Ragip Xhaka, babai i dy futbollistëve Granit dhe Taulant Xhaka, kandidon për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) opozitare. Turne në Zvicër po zhvillon edhe LDK, partia e presidentit të parë të vendit, Ibrahim Rugova.

Por askush nuk e mobilizon diasporën aq fuqishëm sa Albin Kurti, “kreu i partisë së majtë nacionaliste”, (siç e identifikon gazeta), Lëvizjen Vetëvendosje. Partia më e fortë e Kosovës celebron nacionalizmin shqiptar. Këngët popullore shqiptare po lulëzojnë nga altoparlantët në sallën në Oerlikon. Në fillim të manifestimit ekzekutohet himni kombëtar i Shqipërisë – jo ai i Kosovës. Fëmijët dhe të rinjtë me kostume tradicionale interpretojnë valle popullore.

Në mes të vallëzimeve u shfaq edhe bashkëpresidenti i PS-së Cédric Wermuth. PS dhe Vetëvendosje e përshkruajnë veten si “parti simotra”. Social Demokratët ndihmuan në organizimin e veprimtarisë.

PS-ja shpreson në një situatë të favorshme: në Kosovë zvicerano-kosovarët votojnë për Vetëvendosjen, në Zvicër për PS-në. Por kjo llogaritje duket se nuk funksionon plotësisht. Në mesin e publikut ka edhe simpati për partinë Qendra, për FDP-në madje edhe për SVP-në, siç tregojnë edhe bisedat me disa spektatorë.

Sfondi i ithtarëve të Kurtit është i larmishëm. Në manifestimin në Oerlikon, përveç personave që kanë të drejtë vote në Kosovë, marrin pjesë edhe pjesëtarë të tjerë të diasporës kosovare dhe asaj shqiptare. Ata janë kryesisht burra: të rinj që kanë vetëm pasaportë zvicerane dhe nuk mund të votojnë më 9 shkurt.

Turmat në Oerlikon janë të mëdha. Salla mbushet shpejt. Më shumë se 3000 njerëz kanë ardhur nga të gjitha anët e Zvicrës, madje edhe nga Gjermania. Organizatori thotë se në sallë nuk kishte hapësirë ​​të mjaftueshme për disa. Atyre që hynë në sallë u duhet të presin tri orë derisa heroi i tyre të dalë në skenë.

Dhe pastaj ai shfaqet. Turma brohorit, fishkëllon me zë të lartë dhe thërret emrin e tij: “Al-bin Kur-ti, Al-bin Kur-ti!” Njerëzit brohorasin për “Albin Babën”. Kjo është një lojë “në shtëpi” për kreun e qeverisë së Kosovës. Shumica e të pranishmëve tashmë kanë votuar për partinë e Kurtit ose do ta bëjnë këtë deri më 9 shkurt.

Kurti në fjalën e tij nuk bën asnjë premtim të madh elektoral. Përkundrazi, ai rendit arritjet e katër viteve të fundit: rritje të PBB-së, ulje të borxhit kombëtar, rrugë dhe autostrada të reja.

Kur Albin Kurti foli për situatën në veri të Kosovës shpërthyen brohoritjet më të forta. Kurti thotë se të gjitha bandat kriminele serbe janë dëbuar nga katër komunat me shumicë serbe. Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, atje më në fund mbizotëron rendi dhe ligji.

Një burrë i moshuar kthehet dhe thotë me sy të përlotur: “Një burrë i tillë lind vetëm çdo 100 vjet”. Pastaj shikon përsëri përpara dhe thërret me zë të ngjirur: “Albin Baba!”

Kurti më pas flet për shpenzimet e mbrojtjes, të cilat i ka shumëfishuar që nga fitorja e tij dërrmuese në vitin 2021. Jo sepse ky është prioriteti i tij i parë: “Unë do të preferoja t’i investoja këto para në arsim, kulturë ose inovacion, por ne thjesht kemi një fqinj të keq”. Pastaj mbështetësit e tij thërrasin: “UÇK – UÇK”.

Pse të pranishmit e përkrahin Kurtin?

“Ai ka reduktuar korrupsionin”, thotë një mbështetës i Kurtit nga Olteni. “Kushdo që bie në kundërshtim me ligjin nuk mund të mbajë më thjesht një kartëmonedhë 10 euro në mënyrë që polici `të shikojë nga ana tjetë`”.

Dy vëllezër nga Zvicra lindore, të cilët të dy punojnë si sipërmarrës në Zvicër dhe Kosovë, thonë të njëjtën gjë: “Nëse dëshiron të hapësh një biznes në Kosovë, askush nuk kërkon më ryshfet që proceset burokratike të shkojnë më shpejt. Të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë.”

Kurti me politikën e tij ka bërë për vete edhe shumë femra. Një shtetase gjermane 29-vjeçar me rrënjë kosovare thotë: “Ai i integroi gratë në botën e punës. Dhe ai ka siguruar që ato të kenë të njëjtat të drejta dhe që dhuna në familje dhe sulmet seksuale të ndiqen penalisht në mënyrë më rigoroze.

Ajo nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje sepse ka vetëm pasaportë gjermane. Megjithatë, ajo do të fluturojë për në Kosovë më 9 shkurt. Si pothuajse të gjithë të pranishmit, edhe e reja pret që Kurti të fitojë sërish me një diferencë të madhe. “Ai do të marrë 65 për qind të votave”. Me një pamje si kjo, ajo definitivisht nuk dëshiron të humbasë festën në Prishtinë.

The post Mediat zvicerane mbi pritjen e Kurtit si “yll roku” dhe “festimin e sukseseve” të tij, në Cyrih appeared first on Albinfo.