Mori çmimin Nobel për Paqen, fituesja Machado ia dedikon fitoren Presidentit Trump
Çmimi Nobel për Paqen iu dha sot udhëheqëses së opozitës Maria Corina Machado nga Venezuela, e cila tha se “po mbështetet në ndihmën” e Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Ajo u zgjua në mes të natës me një telefonatë nga sekretari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, i cili e informoi për çmimin . E mbytur nga emocionet, [...]Read More...

Çmimi Nobel për Paqen iu dha sot udhëheqëses së opozitës Maria Corina Machado nga Venezuela, e cila tha se “po mbështetet në ndihmën” e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Ajo u zgjua në mes të natës me një telefonatë nga sekretari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, i cili e informoi për çmimin . E mbytur nga emocionet, fituesja 58-vjeçare siguroi se ky ishte një “nxitje” për luftën e saj “për liri”.
“Po punojmë shumë për ta arritur këtë dhe jam e sigurt se do të fitojmë”, tha ajo gjatë bisedës, përmbajtja e së cilës u regjistrua dhe u publikua. “Më shumë se kurrë më parë, ne po mbështetemi te Presidenti Trump” për të vendosur anije luftarake në Detin e Karaibeve, shkroi ajo më vonë në Platformën X.
Machado, e cila i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Venezuelën që të ecë drejt demokracisë, vlerësoi Trump gjatë një interviste këtë vit, duke falënderuar Trumpin dhe administratën e tij për “mbështetjen e palëkundur” ndaj kauzës së vendosjes së demokracisë në Venezuelë. Kur Trump fitoi garën presidenciale vitin e kaluar, ajo ishte midis disa udhëheqësve botërorë që e uruan atë, duke thënë: “Ne gjithmonë jemi mbështetur tek ju”.
“Duhet të them se jam shumë mirënjohëse ndaj administratës dhe Presidentit Trump për qëndrimin e tij ndaj Venezuelës. Ka qenë një mbështetje e palëkundur”, tha Machado.
“Gjithashtu duhet të falënderoj anëtarët e Kongresit – senatorë, kongresmenë dhe kongresiste – të cilët e kuptojnë se regjimi në Venezuelë përfaqëson një kërcënim të vazhdueshëm, një kërcënim që tashmë po destabilizon rajonin dhe po rrezikon sigurinë si të hemisferës ashtu edhe të SHBA-së. Ne jemi shumë mirënjohës ndaj Presidentit Trump për vendimet që ka marrë në këtë drejtim”, tha ajo në intervistën e muajit maj.
E konsideruar si një “ultraliberale pro-Trump”, ajo ia dedikoi Çmimin Nobel presidentit të SHBA-së dhe popullit të Venezuelës.
Në Uashington, ku Donald Trump nuk e fshehu dëshirën e tij për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, Shtëpia e Bardhë vlerësoi se Komiteti i Nobelit “e vuri politikën përpara paqes”.
María Corina Machado “është një nga shembujt më të pazakontë të guximit qytetar në Amerikën Latine kohët e fundit”, tha presidenti i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Jörgen Vadne Fridnes.
Duke hyrë në politikë në fillim të viteve 2000 duke mbrojtur idenë e një referendumi kundër Presidentit Venezuelan Hugo Chávez, Machado e ka bërë rrëzimin e regjimit Çavist qëllimin e jetës së saj.
Nëna e tre fëmijëve, pavarësisht popullaritetit të saj, iu ndalua të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, në të cilat Nicolas Maduro, pasardhësi politik i Hugo Chavez, u shpall fitues pavarësisht protestave të opozitës.