Muhaxheri për shpenzimet e institucioneve: Qasje e çorganizuar dhe arbitrare ndaj buxhetit të shtetit
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, për FrontOnline ka folur lidhur me mënyrën si janë shpenzuar mbi 29 milionë euro nga institucionet qeveritare në periudhën trevjeçare, duke e konsideruar këtë si një tregues të thellë të mungesës së menaxhimit të duhur të parasë publike. “Shpenzimi i mbi 29 milionë eurove nga institucionet qeveritare në vetëm tri
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, për FrontOnline ka folur lidhur me mënyrën si janë shpenzuar mbi 29 milionë euro nga institucionet qeveritare në periudhën trevjeçare, duke e konsideruar këtë si një tregues të thellë të mungesës së menaxhimit të duhur të parasë publike.
“Shpenzimi i mbi 29 milionë eurove nga institucionet qeveritare në vetëm tri vite është tregues i qartë i mungesës së përgjegjësisë dhe transparencës në menaxhimin e parasë publike.” tha ai.
Ai ka komentuar edhe luhatjet në nivelin e shpenzimeve, duke i cilësuar si të pakoordinuara dhe të paarsyeshme.
“Rritja e madhe e shpenzimeve në vitin 2023, e ndjekur nga një rënie e pazakonshme në vitin 2024, nuk është rezultat i planifikimit, por dëshmi e një qasjeje të çorganizuar dhe arbitrare ndaj buxhetit të shtetit.” potencoi Muhaxheri.
Sipas Muhaxherit, mjetet publike nuk po trajtohen me seriozitetin që kërkohet në një shtet demokratik.
“Këto janë para të qytetarëve dhe ato nuk mund të përdoren sipas tekave politike apo për interesa të ditës. Në mungesë të një arsyetimi të qartë për këto shpenzime, kjo qeveri duhet të japë llogari për çfarë janë shpenzuar këto miliona euro. Cilat janë rezultatet konkrete? Kush ka përfituar realisht? A ka pasur tenderë të dyshimtë apo keqpërdorime?” shtoi tutje njohësi i ekonomisë.
Ai nuk përjashtoi as mundësinë që pas këtyre shpenzimeve të fshihen praktika të dyshimta:
“Nëse nuk ka transparencë dhe llogaridhënie, atëherë kemi të bëjmë me një qeveri që e trajton buxhetin si pronë private dhe jo si pasuri publike.” përfundoi Muhaxheri.
Muhaxheri theksoi se një sjellje e tillë, përveçse dëmton besimin qytetar, përbën pengesë për zhvillimin e vendit.
“Në një vend ku resurset janë të kufizuara, një sjellje e tillë është jo vetëm e papërgjegjshme, por e dëmshme për zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar.”
Ai kërkoi reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse:
“Institucionet përkatëse duhet të japin sqarime të menjëhershme. Nëse nuk e bëjnë, atëherë do të kemi konfirmimin që kemi të bëjmë me një qeveri që fshihet pas mungesës së llogaridhënies sepse ka diçka për të fshehur.”