Murseli-Kostovskit: Buteli do të bashkohet, siç u bashkua Bërvenica!

Murseli-Kostovskit: Buteli do të bashkohet, siç u bashkua Bërvenica!

Këshilltari i BDI-së në Komunën e Butelit, Armend Murseli, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili ka komentuar deklaratën e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, se pas fitores në Bërvenicë, radhën për ta fituar e ka Komuna e Butelit.

Murseli thekson se Kostovski nuk ka arsye të shqetësohet nga deklaratat e Ziadin Selës apo të Ali Ahmetit, pasi, sipas tij, vullneti i qytetarëve është ai që vendos dhe askush nuk ka monopol mbi të.

Ai shprehet se ajo që ndodhi në Bërvenicë do të ndodhë edhe në Butel, duke theksuar se edhe qytetarët e kësaj komune do ta shprehin vullnetin e tyre.

“Diaspora është thesari ynë! Ata që e kanë ruajtur gjithmonë lidhjen me vendlindjen dhe e kanë dëshmuar shumë herë dashurinë për të, do ta dëshmojnë edhe në Butel, sa herë të jetë nevoja. Me zemër do të vijnë dhe do ta shprehin vullnetin e tyre, ashtu siç kanë bërë gjithmonë”, shprehet Murseli.

Sipas tij, Butelit i duhet bashkëjetesë, respekt dhe zhvillim, e jo nacionalizëm dhe përçarje.

“Do të vijë koha kur nacionalizmi dhe përçarja që po bëni do të marrin fund dhe shumë shpejt Buteli do të jetë vend i bashkimit, barazisë dhe respektit për të gjithë qytetarët!”, përfundon reagimi i Murselit.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.