Oda Ekonomike Amerikane: Liberalizimi i tregut të energjisë tashmë po shkakton dëmet e saj
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur shqetësimin e saj përkitazi me pasojat e liberalizimit të vazhdueshëm të tregut të energjisë elektrike. Kjo odë i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta ndërpresë urgjentisht procesin derisa të përmbushen parakushtet thelbësore. “Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur shqetësimin e saj përkitazi me pasojat e liberalizimit të vazhdueshëm të tregut të energjisë elektrike.
Kjo odë i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta ndërpresë urgjentisht procesin derisa të përmbushen parakushtet thelbësore.
“Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime. Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve”.
“Derisa liberalizimi mbetet një domosdoshmëri strategjike në rrugën e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe të BE-së në energji, ky tranzicion duhet të menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe me përgatitje nga të gjitha palët. Deklarimet e publikuara dje në mediat e Kosovës e që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike”.
“Ashtu siç është thënë disa herë nga Oda Amerikane dhe nga hisedarët e tjerë që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, liberalizimi ka ndodhur pa përmbushjen e kritereve të nevojshme të tregut, në kushte të konkurrencës së kufizuar në aspektin e furnizimit, duke vendosur një barrë të papërballueshme mbi bizneset e mëdha”.
“Duke iu përgjigjur pretendimeve të disa politikbërësve se presioni i komunitetit të biznesit ka të bëjë me kërkesën për më shumë kohë që këta të mund të përgatiten, Oda Amerikane thekson se ky është një keqinterpretim i pozicionit të sektorit privat. Bizneset kanë kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të qartë që, para se të kërkohet përshtatja e konsumatorëve, të jetë tregu ai që duhet të jetë i përgatitur”.
Sipas kësaj ode, liberalizimi i një tregu që funksionon me vetëm një furnizues aktiv nuk përbën konkurrencë të mirëfilltë, por një reformë teorike, e zbatuar në moment të vakumit institucional, me pasoja të rënda për sektorin privat dhe për stabilitetin ekonomik të vendit.
Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj drejtuar ZRRE-së që të ndërmarrë veprime të menjëhershme korrigjuese duke ndërprerë procesin e liberalizimit derisa të krijohet një treg funksional dhe konkurrues, si dhe derisa të vendosen masa mbështetëse kalimtare.