Osmani: Presidenti Rugova ndërtoi aleancat që na u deshën më së shumti në kohë të vështira
Presidentja Vjosa Osmani pas homazheve te varri i Presidentit Ibrahim Rugova ka thënë para mediave se presidenti Rugova dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit në një kohë, siç tha ajo, jashtëzakonisht të rëndë për popullin e Kosovës kur rrezikohej nga shfarosja. “Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm

Presidentja Vjosa Osmani pas homazheve te varri i Presidentit Ibrahim Rugova ka thënë para mediave se presidenti Rugova dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit në një kohë, siç tha ajo, jashtëzakonisht të rëndë për popullin e Kosovës kur rrezikohej nga shfarosja.
“Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë edhe zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u deshën më së shumti pikërisht në ato kohë të vështira e të cilat rezultuan me intervenimin e NATO-s i cili edhe e ndihmoi çlirimin e Kosovës e pastaj mbështetja e këtyre shteteve mike ndihmoi edhe vetë pavarësimin e vendit tonë”, tha Osmani.
Ajo tha se vizioni i presidentit Rugova ishte largpamës dhe se janë mirënjohës për kontributin e tij.
“Ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm që i solli politikes dimenzionin human të saj, dimension që fatkeqësisht i mungonte për një kohë të gjatë, prandaj edhe mbetet jo vetëm shembull i vizionit dhe politikëbërjes në Kosovë, por edhe kudo që shkojmë në botë”, tha Osmani.