Zeka paralajmëron rrezikun e largimit të bizneseve nga Kosova pa reforma ekonomike

Zeka paralajmëron rrezikun e largimit të bizneseve nga Kosova pa reforma ekonomike

Zeka: Mungesa e investimeve mund të çojë në largimin e bizneseve prodhuese nga Kosova

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka ngritur shqetësimin se mungesa e investimeve infrastrukturore dhe vonesat në reformat ekonomike mund të çojnë në zhvendosjen e bizneseve prodhuese nga Kosova drejt vendeve fqinje, me pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Arian Zeka ka theksuar se, edhe pse nuk ka informata konkrete për largimin e bizneseve nga Kosova, shqetësimet e komunitetit të biznesit janë të mëdha dhe lidhen direkt me mungesën e investimeve që do të nxisnin zhvillimin ekonomik afatgjatë.

Ai ka treguar se, në vend të investimeve në infrastrukturë me efekt multiplikativ, politika aktuale fokusohet te asistenca sociale, e cila sipas tij ka efekte negative në ekonominë e vendit.

“Nuk është që kemi marrë informata për largim të bizneseve të Kosovës, për hir të së vërtetës. Megjithatë, ka shqetësime të mëdha, të cilat ndahen nga anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane, por edhe nga komuniteti më i gjerë i biznesit në vend. Siç e kemi thënë edhe në deklaratat tona, nuk ka investime të mjaftueshme infrastrukturore, të cilat do të kishin efekt më të gjerë multiplikativ në zinxhirin ekonomik të vendit. Po e shohim se gati secilën herë ose dy-tri herë brenda vitit ka shpërndarje të asistencës sociale. E kuptojmë që kjo mund të jetë në linjë me politikat dhe vlerat që i promovon partia në pushtet, por megjithatë duhet të shihet efekti i tyre në ekonominë e vendit”, ka thënë Arian Zeka.

Sipas tij, politika aktuale ka efekte negative dhe mund të shtyjë bizneset prodhuese drejt largimit nga vendi.

“Ne besojmë që efekti në masë të madhe është negativ, është gërryes dhe rrjedhimisht kjo i lë bizneset në gjendje më të vështirë, e pse jo në një të ardhme jo shumë të largët edhe të nisim të shohim largimin e tyre, ashtu siç ka paralajmëruar një pjesë e madhe e tyre. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke qenë vende të vogla me ekonomi të brishta, janë në mesin e vendeve më të varfra në Evropë dhe rrjedhimisht jemi në konkurrencë me njëra-tjetrën për tërheqjen e bizneseve”, ka shtuar ai.

Arian Zeka ka treguar se tashmë ka biznese kosovare që kanë shtrirë aktivitetet në vendet fqinje dhe ka paralajmëruar se prodhuesit mund të zhvendosen në Shkup ose Kukës.

“Në dy-tri vitet e fundit ka pasur shtrirje të bizneseve kosovare në këto vende. Mos të çuditemi që një ditë një pjesë e madhe e bizneseve prodhuese të vendit do të zhvendosen në vende si Shkupi apo Kukësi, meqenëse janë në distancë shumë të afërt gjeografike me Kosovën. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tregtojnë pa doganë me njëra-tjetrën, që do të thotë se mallrat që dikur prodhoheshin në Kosovë mund të prodhohen në Kukës apo në Shkup dhe të futen në tregun e Kosovës pa iu nënshtruar detyrimeve doganore. Por ajo që humbet Kosova është shumë më e madhe. Do të mbylleshin vende të punës, një pjesë e madhe e tatimit në fitim që sot gjenerohet nga këto kompani prodhuese nuk do të vazhdonte t’i paguhej buxhetit të vendit dhe kjo do të çonte në përkeqësim të aspektit socio-ekonomik”, ka shpjeguar ai.

Ai ka shprehur shpresën që Kosova të ketë sa më shpejt institucione funksionale, të cilat do të shtyjnë përpara reformat ekonomike dhe projektet infrastrukturore.

“Prandaj uroj që shumë shpejt të kemi institucione funksionale, të kemi një Kuvend që do të arrijë të shtyjë përpara reformat ekonomike dhe një qeverisje pak më pak populiste, e cila kupton se cilat janë aspektet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe që nuk bazohen vetëm në shpërndarjen e ndihmës sociale. Ka një numër të madh të projekteve infrastrukturore të cilat nuk po arrijnë të përfundojnë në këtë pesë-gjashtëvjeçarin e fundit dhe besoj që aty duhet të jetë fokusi më i madh”, ka thënë Arian Zeka.

Ai ka theksuar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve funksionale bie mbi partinë me numrin më të madh të votave, duke theksuar nevojën për kompromis politik.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në periudhën prej çlirimit e tutje, në këto 27 vite si shtet i lirë, dhe një pjesë e mësimeve të mira të gjeneruara gjatë këtyre viteve duhet të replikohen edhe në periudhën në vijim. Uroj të kemi qeveri funksionale dhe institucione me mandat të plotë, jo ushtrues detyre. Këtu nevojitet konsensus dhe gatishmëri për kompromis. Përgjegjësia rëndon mbi partinë që ka numrin më të madh të votave, sepse sa më e madhe fuqia, aq më e madhe është edhe përgjegjësia, përfshirë edhe përgjegjësinë për bashkëpunim”, ka konkluduar Arian Zeka.

Me pak fjalë

Mungesa e investimeve infrastrukturore dhe vonesat në reformat ekonomike rrisin rrezikun e zhvendosjes së bizneseve prodhuese nga Kosova drejt vendeve fqinje, duke kërcënuar punësimin dhe të ardhurat shtetërore. Arian Zeka thekson nevojën për institucione funksionale dhe kompromis politik për të nxitur zhvillimin ekonomik afatgjatë.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.