Pesë arsye pse ky edicion i Eurovisionit do të mbahet mend gjatë
Festivali i Këngës në Eurovision 2025 përfundoi, por jehona e tij do të vazhdojë gjatë në kujtesën e publikut – sidomos për qytetin pritës, Bazel. Për një javë të tërë, ky qytet zviceran u kthye në një epiqendër gëzimi, muzike dhe energjie pozitive, duke treguar se është një mikpritës i shkëlqyer i ngjarjeve ndërkombëtare. Ja […] The post Pesë arsye pse ky edicion i Eurovisionit do të mbahet mend gjatë appeared first on Albinfo.

Festivali i Këngës në Eurovision 2025 përfundoi, por jehona e tij do të vazhdojë gjatë në kujtesën e publikut – sidomos për qytetin pritës, Bazel. Për një javë të tërë, ky qytet zviceran u kthye në një epiqendër gëzimi, muzike dhe energjie pozitive, duke treguar se është një mikpritës i shkëlqyer i ngjarjeve ndërkombëtare. Ja pesë arsye pse Eurovisioni i këtij viti ishte i jashtëzakonshëm, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.
1. Bazel – ylli i padiskutueshëm i javës
Qyteti i Bazelit, i mbushur me fansa nga e gjithë Evropa, tregoi se mund të përballojë me sukses organizimin e një eventi të përmasave kaq të mëdha. Me mot të përkryer, siguri të lartë dhe një organizim shembullor, atmosfera ishte festive në çdo cep të qytetit. Rrugët, sheshet dhe zonat rreth stadiumit u mbushën me ngjyra dhe buzëqeshje. Banorët dhe vizitorët ishin të një zëri: Bazeli ka vendosur një standard të ri për Eurovisionin.
2. Prezantueset e mrekullueshme dhe momentet komike
Trioja e prezantueseve – Hazel Brugger, Sandra Studer dhe Michelle Hunziker – sollën një frymë të freskët dhe plot humor në skenë. Ato u dalluan për spontanitetin, profesionalizmin dhe veçanërisht për vetëironi. Momenti kur Hazel Brugger dhe Michelle Hunziker interpretuan një truk të pazakontë me gjuhën e tyre në finale u kthye në një prej çasteve më të komentuar në rrjetet sociale, transmeton albinfo.ch.
3. “Made in Switzerland” – një hit jashtë garës
Gjatë gjysmëfinales së parë, prezantueset kënduan një këngë me titull “Made in Switzerland”, e cila u prit me brohoritje dhe dashamirësi nga publiku. Ajo u bë hit menjëherë në rrjetet sociale, me shumë ndjekës që kërkonin që kënga të përfshihej në garë. Me një melodi të lehtë dhe tekst humoristik, performanca tregoi talentin muzikor dhe kreativitetin zviceran.
4. Zoë Më – një paraqitje e fuqishme e Zvicrës
Përfaqësuesja zyrtare e Zvicrës, këngëtarja Zoë Më, mahniti publikun me këngën e saj “Voyage”. Edhe pse kritikuar fillimisht si një baladë shumë e qetë për një skenë si Eurovisioni, performanca e saj e shtunën mbrëma ishte vokalisht e fuqishme dhe emocionalisht prekëse. Me një skenografi të thjeshtë, por efektive, dhe një sallë që u shndërrua në një det dritash, ajo krijoi një moment magjik.
5. Tifozët – shpirti i Eurovisionit
Slogani i këtij viti, “Të bashkuar nga muzika”, mori kuptim të vërtetë në Bazel. Mijëra tifozë që kishin ardhur nga vende të ndryshme u bashkuan në një atmosferë feste që përfshiu të gjithë qytetin. Edhe ata që zakonisht nuk e ndjekin festivalin u përfshinë në ethet muzikore dhe e shijuan ngjarjen në mënyrë të papritur. Kjo ndjenjë bashkimi dhe pozitiviteti ishte padyshim një nga sukseset më të mëdha të këtij edicioni, transmeton albinfo.ch.
Mungesa e Dion dhe një pyetje pa përgjigje
E vetmja hije që qëndroi mbi këtë edicion ishte mungesa e Céline Dion. Thashethemet për një paraqitje të mundshme të superyllit, që dikur i solli fitoren Zvicrës në Eurovision, ishin të shumta. Pavarësisht pritjeve, ajo nuk u shfaq në finale, as nuk dërgoi një përshëndetje zyrtare – një zhgënjim për shumë fansa.
Megjithatë, Eurovisioni në Bazel 2025 do të mbahet mend si një sukses i madh, jo vetëm për Zvicrën si vend organizator, por edhe për mënyrën se si muzika bashkoi njerëzit, përtej kufijve, gjuhëve dhe dallimeve, transmeton albinfo.ch.
The post Pesë arsye pse ky edicion i Eurovisionit do të mbahet mend gjatë appeared first on Albinfo.