Presidentja Osmani dekoron presidentin e FIFA-s
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen e Nderit të Kosovës. Ceremonia është mbajtur sot në Prishtinë, ku Osmani ka vlerësuar kontributin e kreut të FIFA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, jo vetëm në momente të gëzueshme, por edhe në periudhat më të vështira. Osmani ka […]

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen e Nderit të Kosovës.
Ceremonia është mbajtur sot në Prishtinë, ku Osmani ka vlerësuar kontributin e kreut të FIFA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, jo vetëm në momente të gëzueshme, por edhe në periudhat më të vështira.
Osmani ka thënë se loja e futbollit e ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”.
Përgjatë ceremonisë, si Osmani, ashtu edhe Infantino e kanë përmendur punën e madhe që ka bërë ish-futbollisti i ndjerë, Fadil Vokrri – në kapacitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës – për të avancuar rrugën e futbollit të lojtarëve kosovarë në skenat botërore.
Infantino ka thënë se është i nderuar dhe i lumtur për dekoratën.