Profesori i së Drejtës Penale: Kurti duhet trajtuar si çdo dëshmitar tjetër, ligji parasheh edhe arrest për refuzim të dëshmisë

Profesori i së Drejtës Penale, Kolë Krasniqi, për FrontOnline ka komentuar mosparaqitjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar si dëshmitar lidhur me aferën e rezervave shtetërore. Sipas profesorit Krasniqi, legjislacioni në fuqi parasheh qartë masat që mund të ndërmerren ndaj dëshmitarëve që nuk i binden ftesës së prokurorisë, nëse

Profesori i së Drejtës Penale: Kurti duhet trajtuar si çdo dëshmitar tjetër, ligji parasheh edhe arrest për refuzim të dëshmisë

Profesori i së Drejtës Penale, Kolë Krasniqi, për FrontOnline ka komentuar mosparaqitjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar si dëshmitar lidhur me aferën e rezervave shtetërore.

Sipas profesorit Krasniqi, legjislacioni në fuqi parasheh qartë masat që mund të ndërmerren ndaj dëshmitarëve që nuk i binden ftesës së prokurorisë, nëse ajo është bërë në mënyrë të rregullt.

“Në rastet kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet në prokurori, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet,” ka deklaruar Krasniqi.

Ai shton se, “nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri 250 euro për çdo herë që nuk paraqitet.”

Krasniqi vë në pah edhe masën më të ashpër që parashihet me ligj për rastet kur dëshmitari, ndonëse i njoftuar me pasojat ligjore, refuzon të japë dëshminë e tij.

“Në rastet kur dëshmitari i ftuar në mënyrë të rregullt dhe i njoftuar me pasojat ligjore të refuzimit të dëshmisë së tij – dhe sërish refuzon të dëshmojë, atëherë ai mund të burgoset. Në këtë rast burgimi zgjat derisa dëshmitari pranon të dëshmojë apo derisa dëshmia e tij bëhet e panevojshme, por jo më shumë se një muaj,” theksoi ai për FrontOnline.

Duke u mbështetur në parimin e barazisë para ligjit, i garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe aktet tjera juridike, Krasniqi konsideron se Prokuroria është e obliguar të trajtojë Albin Kurtin njësoj si çdo qytetar tjetër.

“Duke u nisur nga parimi i barazisë, të proklamuar me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Kushtetutën e Kosovës, që sigurojnë barazi të qytetarëve para ligjit, atëherë sipas këtij parimi Prokurori i çështjes është i obliguar që ta trajtojë dëshmitarin Kurti në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë sikur të gjithë dëshmitarët tjerë, pra ta caktoj masën e arrestit derisa dëshmitari të japë dëshminë e tij apo dëshmia e këtij dëshmitari të trajtohet si jo relevante në këtë çështje penale,” ka përfunduar Krasniqi.