Në mes të pushimeve të vjeshtës: Greva e kësaj kompanie prek aeroportet zvicerane

Në mes të pushimeve të vjeshtës: Greva e kësaj kompanie prek aeroportet zvicerane

 

Pasagjerët që kanë planifikuar udhëtime drejt Portugalisë në fillim të tetorit duhet të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre, pasi greva e paralajmëruar e ekuipazhit portugez të kabinës së EasyJet pritet të prekë edhe fluturimet nga aeroportet zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, Sindikata Kombëtare e Punëtorëve të Aviacionit Civil (SNPVAC) ka paralajmëruar grevë nga 2 deri më 6 tetor, si dhe një tjetër aksion nga 19 deri më 23 dhjetor.

Për shkak të grevës së parë, EasyJet ka anuluar tashmë fluturime nga Bazeli, Cyrihu dhe Gjeneva drejt destinacioneve portugeze si Lisbona, Porto dhe Faro.

Sipas Euronews, rreth 500 fluturime të EasyJet në total pritet të preken gjatë pesë ditëve të grevës në tetor, përfshirë edhe fluturime që nisen nga Zvicra.

Greva përkon me periudhën e pushimeve shkollore të vjeshtës në disa kantone zvicerane. Në Bazel, ajo zhvillohet në mes të pushimeve të vjeshtës, ndërsa në kantonin e Cyrihut pushimet nisin më 5 tetor, duke prekur edhe fundjavën e parë të pushimeve.

Në Gjenevë, pushimet shkollore të vjeshtës nisin më vonë gjatë muajit, kështu që vala e parë e grevës nuk përkon me këtë periudhë.

Deri tani nuk është bërë e ditur se sa pasagjerë nga Zvicra do të preken nga anulimet. Po ashtu, mbetet e paqartë se cilat fluturime do të anulohen gjatë grevës së planifikuar në dhjetor.

Pasagjerët që kanë rezervuar udhëtime në këto data këshillohen të kontrollojnë paraprakisht statusin e fluturimit dhe njoftimet e kompanisë ajrore. /Albinfo.ch

The post Në mes të pushimeve të vjeshtës: Greva e kësaj kompanie prek aeroportet zvicerane appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.