Qeveria e re gjermane, plan për Kosovën dhe Ballkanin në BE

Bisedimet për të krijuar koalicionin e ri qeverisës të Gjermanisë kanë hyrë në një fazë kritike. Partia fituese, Unioni Kristian Demokrat (CDU), me në krye Friedrich Merz, që pritet të jetë kancelari i ri, bashkë me partneren CSU-Unioni Kristian Social, po zhvillojnë negociata intensive edhe me Socialdemokratët e SPD-së, të kancelarit në ikje, Olaf Scholz.

Qeveria e re gjermane, plan për Kosovën dhe Ballkanin në BE

Bisedimet për të krijuar koalicionin e ri qeverisës të Gjermanisë kanë hyrë në një fazë kritike.

Partia fituese, Unioni Kristian Demokrat (CDU), me në krye Friedrich Merz, që pritet të jetë kancelari i ri, bashkë me partneren CSU-Unioni Kristian Social, po zhvillojnë negociata intensive edhe me Socialdemokratët e SPD-së, të kancelarit në ikje, Olaf Scholz.

Nga këto bisedimet kanë nisur të rrjedhin informacione se për çfarë pajtohen e çfarë jo, palët.

Media të specializuara siç është “Euractiv”, raportoi se ka parë Draftin e Parë të ujdisë së mundshme të koalicionit, ku flitet specifikisht edhe për vizionin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, raporton Klan Kosova.

Gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, nisur nga Kosova, por edhe Ukraina e Moldavia, tashmë shihen si vendet që mund të jenë anëtaret e reja të BE-së, në një periudhë jo edhe të gjatë kohore.

Sipas draftit, partitë negociatore për ta bërë qeverinë argumentojnë se “ndryshimi masiv i situatës globale” kërkon një qasje të re të Zgjerimit, e cila po quhet “domosdoshmëri gjeopolitike”.

Kjo nënkupton ofrim të perspektivave për vendet kandidate, që për momentin nuk janë gati për hyrje të plotë në Union, por për të cilat duhet qasja e integrimit gradual në Parlamentin Evropian, dhe në Këshillin Evropian.

Sipas raportimit të mediave, drafti i gjermanëve insiston në atë që mënyra e votimit në BE, me shumicë të kualifikuar, duhet të zgjerohet edhe në Politikën e Jashtme – dhe kjo bëhet enkas për të ndaluar shtetet, si puna e Hungarisë, që të mos bllokojnë masat sikur janë sanksionet. Aktualisht është në fuqi sistemi i unanimitetit, kur për gjithçka duhet pajtimi i krejt 27 vendeve anëtare.

Nga gjashtë republikat e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që deri më tani nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për të hyrë në Union.

Aplikimi për të marrë këtë status u bë në dhjetor 2022, por nga atëherë Brukseli, kurrë nuk e shqyrtoi deri tani kërkesën kosovare.