Qytetet zvicerane kërkojnë më shumë zona me shpejtësi 30 km/h

Qytetet zvicerane po kërkojnë më shumë mundësi për të krijuar zona me kufizim shpejtësie prej 30 km/h, me synimin për t’i përshtatur më mirë hapësirat urbane me pasojat e ndryshimeve klimatike, transmeton albinfo.ch.
Konferenca e Qyteteve për Mobilitet (CMV) kërkon që komunave t’u jepet më shumë fleksibilitet në zbatimin e këtyre zonave. Sipas tyre, kjo masë mund të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e mjedisit dhe në përballimin e temperaturave gjithnjë e më të larta.
Më shumë hapësirë për pemë
Një nga argumentet kryesore lidhet me mënyrën se si janë të projektuara rrugët me kufizim 30 km/h.
Këto rrugë mund të jenë më të ngushta krahasuar me rrugët tradicionale, duke krijuar kështu më shumë hapësirë të lirë për mbjelljen e pemëve dhe krijimin e zonave të gjelbra.
Sipas qyteteve, pemët janë një masë veçanërisht e rëndësishme për të krijuar hije dhe për të ulur ndikimin e temperaturave të larta gjatë valëve të të nxehtit.
Për këtë arsye, komunat argumentojnë se kufizimi i shpejtësisë nuk duhet parë vetëm si masë për sigurinë dhe trafikun, por edhe si pjesë e strategjisë për përshtatjen e qyteteve zvicerane ndaj ndryshimeve klimatike. /Albinfo.ch
The post Qytetet zvicerane kërkojnë më shumë zona me shpejtësi 30 km/h appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



