Raporti zbulon kërcënimin e lartë iranian ndaj Britanisë së Madhe: I njëjtë si ai i Rusisë
Komiteti Parlamentar për Inteligjencë dhe Siguri i Britanisë së Madhe (ISC) ka nxjerrë në pah në një raport të fundit se kërcënimi që paraqet Irani ndaj Mbretërisë së Bashkuar është po aq serioz sa ai i Rusisë. Raporti thekson se Irani po ushtron frikësim aktiv ndaj disidentëve iranianë që jetojnë në Britani, përfshirë kërcënimin me [...]Read More...

Komiteti Parlamentar për Inteligjencë dhe Siguri i Britanisë së Madhe (ISC) ka nxjerrë në pah në një raport të fundit se kërcënimi që paraqet Irani ndaj Mbretërisë së Bashkuar është po aq serioz sa ai i Rusisë. Raporti thekson se Irani po ushtron frikësim aktiv ndaj disidentëve iranianë që jetojnë në Britani, përfshirë kërcënimin me sulme fizike dhe vrasje.
Sipas raportit, Mbretëria e Bashkuar është një nga objektivat kryesore të sulmeve kibernetike iraniane, duke u renditur vetëm pas SHBA-ve dhe Arabisë Saudite. Sulmet vijnë nga aktorë të ndryshëm, duke përfshirë agjentë shtetërorë dhe aktorë privatë që veprojnë për interesa personale apo të inteligjencës iraniane. Sektorët më të rrezikuar janë ai petrokimik dhe i financave.
Raporti përfundoi mbledhjen e provave në gusht 2023 dhe paraprin arrestimin e pesë iranianëve të dyshuar për përgatitje të sulmeve terroriste në Britani në maj. Kërcënimet ndaj disidentëve iranianë u rritën ndjeshëm pas protestave anti-qeveritare në Iran, të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminit në shtator 2022.
Komiteti kritikon qeverinë britanike për një qasje të ngushtë dhe të përqendruar kryesisht në çështjen bërthamore të Iranit, duke lënë pas dore kërcënimet e tjera të mëdha që vijnë nga Irani. Po ashtu, mungesa e ekspertizës dhe burokracia janë pengesë për një politikë efektive.
Në mars, qeveria britanike vendosi që i gjithë shteti iranian, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike dhe shërbimet e inteligjencës, të futet në një kategori të veçantë të regjistrimit të ndikimit të huaj. Kjo do të thotë se të gjithë ata që veprojnë në Britani me urdhër të Iranit duhet të regjistrohen, përndryshe përballen me deri në pesë vite burg.
Drejtori i MI5 njoftoi se që nga fillimi i vitit 2022, Britania ka parandaluar 20 komplote të mbështetura nga Irani, që paraqesin kërcënime serioze ndaj qytetarëve britanikë.
Kryetari i Komitetit ISC, Kevan Jones, tha se Irani është një kërcënim i gjerë, i qëndrueshëm dhe i paparashikueshëm për Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur si shërbimet e tij të inteligjencës ashtu edhe grupet ‘proxy’ kriminale dhe terroriste për të kryer sulme me rrezik minimal për veten.
Raporti vjen në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe Perëndimit janë në rritje, ndërsa Britania përgatitet për sfida të mëtejshme në fushën e sigurisë kombëtare. /abcnews.al