Reflektime mbi Ramazanin, angazhimi, traditat dhe mesazhet për besimtarët
Intervistë me imamin Mehas Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër The post Reflektime mbi Ramazanin, angazhimi, traditat dhe mesazhet për besimtarët appeared first on Albinfo.

“Xhamitë shqiptare në Zvicër kanë luajtur një rol kyç në ofrimin e mundësive për adhurim dhe mbështetje shpirtërore. Ato kanë ofruar iftare me besimtarët dhe miqët e rrethinës, të qytetit apo komunës, po ashtu ka pasur shumë aktivitete edukative, kuize të diturisë, ligjërata me mysafir të ftuar enkas nga vendlindje, si dhe tubime gati në çdo xhami, për gjininë femëre, me ligjërata dhe programe të veçanta. Po e përmendi një aktivitet të mirë që e bëjmë tashmë disa vite e që janë vizitat e ndërsjella të imamëve, duke u ndërruar me njëri-tjetrin në xhamitë e tyre, e që kjo ka luajtur një rol të mirë të afrimit të xhemateve tona”, thotë veç tjerash mami Mehas Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër në intervistën për albinfo.ch.
Albinfo.ch: :Çfarë domethënie ka muaji i shenjtë i Ramazanit për besimtarët muslimanë, veçanërisht për komunitetin musliman shqiptar në Zvicër?
Mehas Alija: Muaji i Ramazanit është një muaj i bekuar hënor, ku agjërimi bëhet obligim, duke përfshirë abstenimin nga ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet intime nga agimi deri në perëndim. Netët e tij shoqërohen me adhurime të veçanta, si namazi i teravive, dhe përfundojnë me Natën e Kadrit, kur zbriti Kur’ani dhe ndihma ndaj nevojtarëve përmes pagesës së fitrave. Ky muaj, përveç ritualeve, ka një dimension shpirtëror të thellë, duke krijuar një atmosferë solidariteti dhe mëshire hyjnore. Besimtarët grumbullojnë vlera dhe mirësi, të cilat mund t’i aplikojnë gjatë gjithë vitit. Disiplina e fituar gjatë Ramazanit ndihmon në jetesën e një jete “agjërueshme”, larg të ligave dhe sjelljeve të këqija. Agjërimi është një test i sinqeritetit të besimtarit.
Albinfo.ch: Si e keni parë angazhimin e besimtarëve gjatë këtij Ramazani? A ka pasur ndonjë ndryshim në krahasim me vitet e kaluara?
Mehas Alija: Angazhimi i besimtarëve këtë vit ka qenë i jashtëzakonshëm. Ka pasur një rritje të pjesëmarrjes në xhami në faljen e namazeve të natës, siç njihen në traditën islame në namazet e teravive. Është vënë re një angazhim dhe pjesëmarrje më e madhe e të rinjve. Fakti që ky Ramazan ndodhi të jetë në tërë periudhën dimërore të orës, fluksi ishte shumë i madh se sa në vitet e kaluara.
Albinfo.ch: Cilat janë disa nga vlerat kryesore që Ramazani ka theksuar këtë vit në mesin e besimtarëve?
Mehas Alija: Ramazani është një muaj i bekuar me shumë vlera. Personalisht në ligjërimet e mia jam fokusuar te vlerat qytetëruese të Ramazanit, në përmirësmin e mirësjelljes së individitet dhe të bashkimit shoqëror. Zoti dëshiron që përmes agjërimit të na bëjë më të vetëdijshëm për Të dhe për rolin tonë në shoqëri.
Albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për ata që për herë të parë kanë agjëruar këtë vit?
Mehas Alija: Për ata që për herë të parë kanë agjëruar, mesazhi është të vazhdojnë ta mbajnë këtë disiplinë dhe shpirt të pastër që e fituan gjatë këtij muaji të bekuar. Ramazani është një mundësi për të zhvilluar karakterin dhe për t’u afruar më shumë me Zotin dhe me të tjerët.
Albinfo.ch: Cilat kanë qenë disa nga aktivitetet më të rëndësishme të KMSHZ-së gjatë këtij Ramazani?
Mehas Alija: Gjatë Ramazanit, KMSHZ ka organizuar disa aktivitete, përfshirë iftare, vizita, ligjërata dhe aktivitete sociale. Si kryesi e KMSHZ-së më shumë kemi rol planifikues dhe orientues. Bashkëveprojmë ngushtë me imamët dhe këshillat e xhamive tona shqiptare në Zvicër. Vlen të përmendi iftarin tradicional që e organizojmë çdo vit, ku ftojmë personalitete të shquara shqiptare dhe më gjërë nga Zvicra, përfshirë veprimtarë, afaristë, diplomatë, aktivistë të shoqërisë civile, mjek, shkencëtarë, teologë e teologë, si dhe shumë miq të KMSHZ-së. Në iftarin e këtij viti patëm rreth 130 mysafirë.
Albinfo.ch: A mund të na tregoni diçka më shumë rreth angazhimit të xhamive shqiptare në Zvicër gjatë këtij muaji?
Mehas Alija: Xhamitë shqiptare në Zvicër kanë luajtur një rol kyç në ofrimin e mundësive për adhurim dhe mbështetje shpirtërore. Ato kanë ofruar iftare me besimtarët dhe miqët e rrethinës, të qytetit apo komunës, po ashtu ka pasur shumë aktivitete edukative, kuize të diturisë, ligjërata me mysafir të ftuar enkas nga vendlindje, si dhe tubime gati në çdo xhami, për gjininë femëre, me ligjërata dhe programe të veçanta. Po e përmendi një aktivitet të mirë që e bëjmë tashmë disa vite e që janë vizitat e ndërsjella të imamëve, duke u ndërruar me njëri-tjetrin në xhamitë e tyre, e që kjo ka luajtur një rol të mirë të afrimit të xhemateve tona.
Albinfo.ch: Cila është rëndësia e Fitër Bajramit për besimtarët muslimanë dhe si duhet ta festojmë atë në mënyrën më të mirë?
Mehas Alija: Në fenë tonë islame kemi dy festa të mëdha dhe më kryesoret gjatë vitit: Festën e Fitër-Bajramit dhe atë të Kurban-Bajramit. Në popull njihen si Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël. Festa e Fitër-Bajramit pason pas një angazhimi dhe ngjallje shpirtërore që përjetojnë besimtarët e fesë islame gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ku, ndër të tjera, agjërojnë dhe abstenojnë nga të ngrënurit dhe pija për disa orë gjatë ditës, përkushtohen ndaj veprave të mira, kryejnë lutjet dhe adhurimet e natës, ndihmojnë dhe tregohen më shumë solidarë me të tjerët, etj. Fitër Bajrami është një emërtim që ka rrjedh prej dy fjalëve të huaja “fitër” që është arabisht dhe tjetra “bajram” që është turqisht, e që në shqip do të mund të përkthehej si “Festa e Fitrit”. Pse festa e Fitrit? Sepse, sipas një mendimi, gjatë Ramazanit besimtarët paguajnë në fund një shumë të hollash për të varfrit dhe të ngratët, e që është lëmosha e Fitrit, apo siç e njohim ne në terminologjinë tonë fetare, Sadakaja e Fitrit. Kurse, sipas mendimit tjetër, shikuar nga aspekti etimologjik, Fitër nënkupton kthimin në një gjendje të mëparshme, në natyrshmërinë që kishin besimtarët përpara muajit të Ramazanit. Bajrami si festë ka një rëndësi të posaçme, pasi besimtarët agjërues janë të lumtur për arritjen e plotësimit të një kushti themelor të fesë islame, siç është agjërimi, krahas namazit, zeqatit dhe haxhit, si dhe paraqet formën më ideale për përbashkimin dhe gëzimin familjar e shoqëror.
Albinfo.ch: Çfarë mesazhi do t’i përcillnit besimtarëve mysliman shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë për këtë festë?
Mehas Alija: Le t’i kalojmë ditët festive me fytyra të gëzuara dhe zemra të hapura, duke qenë pranë familjeve, të dashurve, miqve dhe fqinjëve tanë. Urojmë që gëzimi i Bajramit t’i përfshijë të gjithë dhe me lutje të kujtojmë vëllezërit dhe motrat tona në të gjithë vendet e botës, të cilët sot vuajnë dhe ndiejnë dhimbje për shkak të padrejtësive ndaj tyre. Le të ruajmë dinjitetin dhe bukurinë e Bajramit, dhe të sigurohemi që asnjë përmbajtje e papërshtatshme të mos e dëmtojë këtë festë të madhe.
Albinfo.ch: Cilat janë disa nga traditat që komuniteti shqiptar në Zvicër i ruan gjatë festës së Fitër Bajramit?
Mehas Alija: Festa e Fitër Bajramit te ne shqiptarët në Zvicër fillon që nga mëngjesi i ditës, me shkuarjen në xhami apo në sallë ku zhvillohet ceremonia e faljes së namazeve të sabahut dhe të bajramit. Aty zhvillohen aktivitete të ndryshme, si ligjërata, këndime të ilahive dhe pjesëve kuranore, organizohen aksione humanitare, programe me fëmijë, si besimtarët urojnë njëri-tjetrin. Më pas, gjatë ditës vazhdohet me traditat e vizitave te të afërmit, shkrimi i urimeve, telefonatat me anëtarët e familjes dhe farefisit në vendlindje, si dhe dhënia e ndihmave për ata që janë në nevojë.
Albinfo: Si mund ta shfrytëzojmë këtë festë për të forcuar solidaritetin dhe bashkëpunimin mes nesh?
Mehas Alija: Në fenë tonë islame është që në festat tona të ndajmë një pjesë të pasurisë për skamnorët dhe nevojtarët, me qëllim që edhe ata të gëzohen dhe të.ch lumturohen në këto ditë festive. Ndihma ndaj të tjerëve, sidomos ndaj të afërmeve të nevojshëm dhe vizitat e ndërsjella e shtojnë dashurinë dhe respektin midis nesh.
Albinfo.ch: Cili është urimi juaj personal për besimtarët shqiptarë në Zvicër dhe në mbarë botën për këtë Fitër Bajram?
Mehas Alija: Të urtët tanë kanë thënë se gjithëçka që është e mirë dhe e bukur, ajo kalon shumë shpejt. Kështu ndodhi edhe me këtë muaj të bekuar të Ramazanit dhe kështu ndodh edhe me vetë jetën, por kanë fituar ata që ditën ta shfrytëzojnë kohën e këtij muaji të bekuar dhe morën nektarin dhe vlerat që ofroi ai. Uroj që të gjithë besimtarët të kenë një Bajram të bekuar, të mbushur me paqe, shëndet dhe harmoni, pranë më të dashurve të tyre. Po ashtu, le ta ndajmë këtë gëzim tonin edhe me të tjerët, me jomuslimanët, me fqinjët dhe bashkëpunëtorët tanë!
Albinfo.ch: Si mund të vazhdojmë të ruajmë vlerat e Ramazanit edhe pas përfundimit të tij?
Mehas Alija: Qëllimi i Ramazanit është, ndër të tjerash, që të na mësojë se si të vazhdojmë të jemi të mirë dhe “agjërueshëm” nga veprimet e pandershme edhe pasi të kalojë Ramazani. Ftoj që të ruajmë edhe më tutje disiplinën e adhurimeve, t’i ruajmë vlerat tona fetare dhe kombëtare, të kultivojmë atdhedashurinë dhe afërsinë familjare. Le të bëhemi zemërgjerë me çdokënd që takohemi dhe me secilin që kontaktojmë.
Albinfo.ch: Çfarë lutjeje apo dëshire keni për komunitetin shqiptar në Zvicër në këtë ditë të shënuar?
Mehas Alija: Lutja ime është që Allahu të na dhurojë forcë për të ruajtur vlerat që kemi mësuar gjatë Ramazanit, të na bekojë me paqe dhe të na udhëzojë në çdo hap të jetës sonë.
The post Reflektime mbi Ramazanin, angazhimi, traditat dhe mesazhet për besimtarët appeared first on Albinfo.