Rreziku i shkatërrimit, ligji që kërcënon zemrën e Amazonës dhe të drejtat e njeriut

Një ligj i ri në Brazil mund të shkaktojë “dëm të konsiderueshëm mjedisor dhe shkelje të të drejtave të njeriut” dhe përfaqëson “një hap pas dekadash të tëra mbrojtjeje mjedisore” në vend, përfshirë në Amazonë, ka deklaruar për BBC-në raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Astrid Puentes Riaño. Projektligji, i cili parashikon përshpejtimin e procedurave [...]Read More...

Rreziku i shkatërrimit, ligji që kërcënon zemrën e Amazonës dhe të drejtat e njeriut

Një ligj i ri në Brazil mund të shkaktojë “dëm të konsiderueshëm mjedisor dhe shkelje të të drejtave të njeriut” dhe përfaqëson “një hap pas dekadash të tëra mbrojtjeje mjedisore” në vend, përfshirë në Amazonë, ka deklaruar për BBC-në raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Astrid Puentes Riaño.

Projektligji, i cili parashikon përshpejtimin e procedurave për miratimin e projekteve zhvillimore, po shqyrtohet teksa Brazili përgatitet të presë samitin ndërkombëtar për klimën COP30 më vonë këtë vit.

Ligjvënësit brazilianë kanë miratuar ndryshime për të thjeshtuar lëshimin e lejeve mjedisore për projekte infrastrukturore si rrugë, diga, energji dhe miniera. Megjithatë, presidenti Luiz Inácio Lula da Silva ende nuk e ka firmosur dekretin.

Kritikët e kanë quajtur projektligjin “ligji i shkatërrimit”, duke paralajmëruar se ai mund të sjellë abuzime mjedisore dhe të përshpejtojë shpyllëzimin, sidomos në rajonin e Amazonës.

Mbështetësit pretendojnë se reforma do të krijojë një sistem të unifikuar dhe më efikas për lejet mjedisore, duke ulur burokracinë dhe duke i dhënë më shumë siguri bizneseve për realizimin e projekteve. Sipas ligjit të ri, disa zhvillues do të mund të vetëdeklarojnë ndikimin e projekteve të tyre përmes një formulari online, në rastet kur projektet konsiderohen të vogla.

Por zonja Riaño shprehu shqetësimin se këto rregulla të lehtësuara mund të zbatohen edhe për disa projekte minerare dhe të kenë ndikim serioz në Amazonë. Ajo u shpreh se është “veçanërisht e shqetësuar” për planin e rinovimit automatik të lejeve në rastet kur nuk ka ndryshime të dukshme në projekt, pasi kjo do të shmangte kryerjen e vlerësimeve të ndikimit mjedisor.

“Ky proces mund të sjellë shpyllëzime të reja, sepse ndryshimet ose vazhdimi i projekteve ekzistuese mund të çojnë në pasoja mjedisore pa u analizuar siç duhet,” tha ajo.

Amazon ka qenë për vite me radhë nën presion nga bujqësia dhe aktivitetet minerare, shpesh të paligjshme. Sipas Riaño, projektligji përfaqëson një “hap prapa” në përpjekjet për ta ndalur këtë.

Komentet e saj vijnë vetëm dy muaj pasi u publikua një analizë e re që tregoi se sipërfaqe të mëdha të Amazonës u shkatërruan në vitin 2024, me zjarre të shkaktuara nga thatësira që e përkeqësuan edhe më shumë situatën.

Sipas projektligjit, agjencitë mjedisore do të kenë afat 12 muaj që mund të zgjatet në 24 për të vendosur nëse një projekt strategjik do të marrë leje. Nëse afati tejkalohet, leja mund të jepet automatikisht.

Mbështetësit argumentojnë se ky sistem do të shmangë vonesat në projekte të rëndësishme, siç janë digat për energji të pastër apo linjat hekurudhore për transportin e drithërave.

Përkundër kësaj, Riaño theksoi se kupton nevojën për efikasitet më të madh, por paralajmëroi se “vlerësimet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në shkencë”.

Projektligji gjithashtu do të zbusë kërkesën për konsultim me komunitetet indigjene ose ato quilombola (pasardhës të skllevërve afro-brazilianë) në disa raste, përveç kur ato ndikohen drejtpërdrejt. Ekspertë të OKB-së kanë ngritur shqetësime se përshpejtimi i procedurave mund të përjashtojë pjesëmarrjen e komuniteteve dhe të cenojë të drejtat e tyre.

Ndërsa mbështetësit e ligjit pretendojnë se ai do të nxisë zhvillimin ekonomik, përfshirë investimet në energjinë e rinovueshme dhe do të ulë kostot për shtetin dhe bizneset, kritikët e shohin si rrezik për katastrofa mjedisore dhe shkelje të të drejtave të popujve autoktonë.

Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se projektligji mund të jetë në kundërshtim me të drejtën kushtetuese për një mjedis të ekuilibruar ekologjikisht çka mund të sjellë sfida ligjore në të ardhmen.

Senati dhe Dhoma e Deputetëve në Brazil e kanë miratuar ligjin, dhe tani ai pret nënshkrimin ose veton e presidentit Lula, i cili ka afat deri më 8 gusht për të vendosur.

Ministrja e Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, Marina Silva, e ka kundërshtuar me forcë ligjin, duke e cilësuar si një “goditje fatale” për mbrojtjen mjedisore. Ajo ka pasur më parë përplasje me presidentin për çështje si eksplorimi i naftës në pellgun e Amazonës.

Edhe nëse presidenti vendos ta vë veton, ka mundësi që kongresi me shumicë konservatore të përpiqet ta rrëzojë atë.

Observatori i Klimës në Brazil e ka quajtur ligjin “goditja më e madhe mjedisore që nga diktatura ushtarake”, periudhë gjatë së cilës u ndërtuan rrugë dhe u zgjerua bujqësia në dëm të Amazonës dhe popujve indigjenë.

Sipas zonjës Riaño, shkencëtarët në Brazil vlerësojnë se ligji do të heqë mbrojtjen për më shumë se 18 milionë hektarë tokë sipërfaqe sa shteti i Uruguait dhe se “pasojat do të jenë të mëdha.”/abcnews.al