Rruga e vështirë e Kurtit drejt Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rrugën e vështirë për të formuar Qeverinë e re. Aktualisht, Kurti dhe partia e tij (VV)  nuk kanë numrat e mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës për të formuar një Qeveri të qëndrueshme, dhe do t’i duhet të bëjë koalicion me një parti tjetër për të arritur shumicën e thjeshtë

Rruga e vështirë e Kurtit drejt Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rrugën e vështirë për të formuar Qeverinë e re. Aktualisht, Kurti dhe partia e tij (VV)  nuk kanë numrat e mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës për të formuar një Qeveri të qëndrueshme, dhe do t’i duhet të bëjë koalicion me një parti tjetër për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetëve të nevojshëm, shkruan FrontOnline.

Një nga sfidat më të mëdha që Kurti do të duhet të adresojë është përfshirja e partnerit të koalicionit në reforma të rëndësishme të premtuara, përfshirë ato në drejtësi.

Një çështje tjetër që e komplikon më tej situatën është mundësia që Fatmir Limaj, lider i Nismës Socialdemokrate, të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen. Nëse kjo ndodh, një nga çështjet kryesore do të jetë pranimi i idesë për themelimin e Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë, një iniciativë e promovuar nga Vetëvendosje, por që ende mbetet një temë e nxehtë dhe e diskutueshme në politikën kosovare.

Gjithashtu, pas një viti, Kosova do të ketë zgjedhjen e presidentit, dhe kjo është një tjetër sfidë e madhe për Kryeministrin Kurti

Nga ana tjetër, opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, është kategorikisht kundër çdo mundësie të koalicionit me Vetëvendosjen.

Për më tepër, një kërkesë e re ka ardhur nga deputetja boshnjake Duda Balje, e cila ka vendosur kushte për Kryeministrin Kurti, duke kërkuar formimin e Komunës Boshnjake në Kosovë. Kjo kërkesë mund të përballet me kundërshtime të tjera nga grupe të ndryshme politike dhe etnike në vend. Ndërkohë, deputeti Veton Berisha ka vendosur disa kërkesa të tjera për të mbështetur koalicionin, që gjithashtu do të kërkojnë diskutime të thella dhe kompromis.

 

Nga VV: Me 15 prill përfundon gjithçka, votohet edhe Qeveria – Kurti kryeministër e Konjufca kryeparlamentar

Nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk duket edhe aq e vështirë formimi institucioneve të reja. Madje nga kjo parti thonë se janë të sigurt se 15 prill 2025 përfundon gjithçka sa i përket formimit të institucioneve të reja.

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, për FrontOnline shprehet i bindur se me 15 prill ditën kur do të mbahet seanca konstitutive do të bëhet edhe votimi i Qeverisë së re po edhe i kryeparlamentarit.

‘’Sigurisht që kryeministër do të jetë Kurti dhe qeverinë e krijon Kurti’’ thotë ai.

Përveç emrit të kryeministrit, deputeti i VV-së ka treguar edhe emrin e kryeparlamentarit, emër ky që u diskutua shumë ditëve të fundit në media.

Thaçi, deklaroi për FrontOnline se kryeparlamentar do të jete serish Glauk Konjufca.

‘’Kryeparlamentar përsëri do të jetë Glauk Konjufca. Të tjerat i shohim si po rrjedhin’’ tha ai.

Deputeti i VV-së, përfundoi me bindjen se 15 prill përfundon gjithçka.

‘’Sigurisht që deri me 15 gjithçka përfundon dhe Qeveria e re do të votohet me 15 prill’’ tha ai.

 

Deliu-Kodra: PDK ka lëshuar pe disa herë për kryeministër, me VV-në kemi hendek –Java tjetër i definon të gjitha gjërat

Deputetja e PDK-së¸ Blerta Deliu-Kodra, për FrontOnline, ka folur rreth mundësisë së formimit të Qeverisë së e, duke thënë se janë të gatshëm si PDK ta formoj Qeverinë, nëse VV dështon ta bëjë atë.

‘’Deri tash kemi parë prej zhvillimeve në raport për përpjekjet për ta bërë Qeverinë. Janë përpjekje të z.Kurti për ta bërë Qeverinë, Kurti ka organizu takime nga partitë minoritare, ndërkohë partitë opozitare, kanë pasur takime në përpjekte të harmonizimit të qëndrimeve për bashkëqeverisje’’ thotë ajo.

Ajo thotë se tashmë kanë pranuar ftesë nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca, për një takim në javën e ardhshme, por që thotë se preferenca e PDK-së është formimi i Qeverisë nga opozita.

‘’E drejta i takon VV-së, në rast se përpjekjet e saj dështojnë, radha i takon PDK-së. Kemi ftesë nga Konjufca në drejtim të kryetarit tonë. Preferencat tona janë që qeverinë ta bëjë opozita’’ shton ajo.

Deliu potencon se kanë hendek sa i përket një koalicioni me VV-në dhe se sipas saj, java tjetër do i definoj të gjitha gjërat.

‘’Kemi deklaruar se kemi hendek me VV dhe nuk preferojmë Qeverisje me ta. Java që vjen do e definoj gjithë përpjekjen për ti dhënë epilog këtyre zhvillimeve. Bazuar në rezultatet zgjedhjeve, VV i takon hera e parë, e nëse ajo dështon, pastaj e drejta i takon PDK-së. Po e them hipotetikisht, por nëse i kthehemi fushatës tonë, përpjekjeve tona, që republika ta kthej vetën në binarët e saj, me gjitha këto pengesa, natyrisht që përpjekjet tona janë që partitë opozitare ta kenë mundësi ta bëjnë Qeverinë’’ shton ajo.

Deputetja e PDK-së, thekson se partia e saj ka lëshuar disa herë pe sa i përket pozitës së kryeministrit dhe janë të interesuar që Qeverinë e re ta udhëheq kandidati i tyre, Bedri Hamza.

 ‘’E kam të vështirë të flas për situata hipotetike. Kemi lëshuar pe disa herë nga vullneti i qytetarëve të Kosovës që e kanë votuar sot, por të tërën do e shohim në Kuvend. E gjithë fushata jonë ka qenë në programin zgjedhor që e ka udhëhequr z.Hamza, prandaj unë besoj se një program i tillë do e këndellte Kosovën nga gjendja në të cilën është sot, prandaj në të mirën e qytetarëve do të ishte një qeverisje e udhëhequr nga Bedri Hamza’’ u shpreh ajo.

 

Gaxherri e LDK-së: Nuk zmbrapsmi nga posti i kryeministrit ose qëndrojmë në opozitë

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së¸Besa Gaxherri ka folur për FrontOnline, mbi mundësinë e formimit të Qeverisë së re, qoftë nga pozita apo nga opozita.

Ajo thotë se dëshiron të besoj se kreu i VV-së, Albin Kurti po dëshiron të i konsumoj afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.

”Të gjitha deklarimet e deritanishme i kemi dëgjuar. I pari ka dalur në zgjedhje Kurti dhe atij i takojnë procedurat kushtetuese që të i fillojë për formimin e Qeverisë. Ne po duam me besu për shkak të Kosovës sepse vështirë është të i besohet Kurtit se ai do të jetë korrekt me afatet kushtetuese’’ thotë ajo.

Megjithatë, Gaxherri thotë se Kurti edhe mund të e zgjasë formimin e Qeverisë.

‘’Ka njëfarë hapësire kushtetuese se ai mund ta zhagis formimin e Qeverisë.  Ne po duam të besojmë që ai po dëshiron me i konsumu afatet ligjore por edhe logjike. Po presim pra nëse në të vërtetë konsitutohet me 15 prill Kuvendi’’ shprehet ajo.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, shton se është tejet e vështirë sigurimi i numrave prej 61 si për VV-në ashtu edhe për opozitën.

‘’Tash të gjithë e dijmë se dhe VV por edhe partitë opozitare e kanë shumë problem për t’i bërë 61 numra e lëre më për ti bërë 80-të kur në mars kemi për ta zgjedhë Presidentin e vendit’’ vazhdon ajo.

Sipas saj, LDK i sheh se zgjedhje të reja do të ketë në marsin e vitit tjetër, për shkak se nuk do të arrihet të zgjidhet Presidenti i Kosovës.

‘’LDK e sheh që 99% në marsin e vitit tjetër do të ketë zgjedhje, sepse nuk besoj se VV do e luaj rolin konstruktiv siç e luajti LDK duke votuar Presidenten. Këtë radhë nuk i besojmë Kurtit se e bën këtë, prandaj mundësitë më të mëdha janë me shkuar në zgjedhje në mars. Kur ne e shohim që në mars mund të shkojmë në zgjedhje, natyrisht që gjirha partitë politike po kalkulojnë në premtimet e veta’’ thotë ajo për FrontOnline.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së për formimin e Qeverisë nga opozita, Gaxherri thotë se kjo mund të ndodh nëse vetëm LDK e merr postin e kryeministrit, përndryshe kjo parti qëndron në opozitë.

‘’LDK i ka dhënë premtim elektoratit të vetë se në Qeveri, do të jetë vetëm nëse e kemi kryeministrin dhe nuk kemi nevojë me u zmbraps nga ky premtim qytetar kur bëhet fjalë për më pak se një vit. Nëse VV dështon dhe opozita është gati ta bëjë Qeverinë, natyrisht që LDK e ka këtë ofertë, përndryshe do të jemi në opozitë’’ tha  Gaxherri.

 

Baraliu e sheh të vështirë rrugën e Kurtit drejt Qeverisë, shprehet pesimist për sigurimin e numrave

Profesori univseritar, Mazllum Baraliu, për FrontOnline, ka folur për rrugën e kryeministrit Albin Kurti për ta bërë Qeverinë e re, duke e konsideruar si relativisht të vështirë.

”Relativisht është e vështirë që Kurti t’i bëjë numrat për ta formuar kabinetin dhe për të ia dërguar Presidentes 61+, sepse gjendja faktike dhe juridike është e tillë se VV nuk ka arritur që ta ketë shumicën që ta bëjë Qeverinë’’ thotë ai.

Baraliu, thotë se kjo varet se a do të ketë sukses VV ta formoj Qeverinë, duke potencuar se edhe partia NISMA, sipas tij është nen presion nga partneri i saj AAK.

 ‘’Prandaj varet se sa do të ketë sukses të siguroj deputetë, pra eventualisht të merr deputetë. Me parti politike, përveç NISMA-s, por ajo ka presion nga AAK që të del, por nëse VV arrin që të siguroj deputetë personalisht dhe ta arrijnë numrin 61, pritet të formohet’’ shton ai për FrontOnline.

Sipas tij, sado që VV po deklarohet se i ka numrat, Baraliu shprehet pesimist se kjo është e mundur.

‘’VV po deklarohet se i kanë, por e vështirë është të i bëjnë numrat. Deputetët duhet ta votojnë Qeverinë e re, sepse është edhe interes i tyre, që të mos e humbin mandatin’’ shprehet ai.

Baraliu, thekson se nëse VV nuk e bën Qeverinë, për opozitën do të jetë edhe më e vështirë.

‘’Nëse VV nuk e bën, opozita e ka edhe më të vështirë me bërë Qeverinë, prandaj shkohet në zgjedhje të parakohshme. Pra ata duhet të kenë vetëdije, por edhe partitë duhet të jenë tolerante që mos të bëjnë presion tek deputetët e tyre. Nuk i shkojnë askujt për shtati zgjedhjet e reja, e veçmas opozita. Do të ketë qeveri të përkohshme, pra Qeveri e pakicës’’ shton ai./FrontOnline/