Shahini: Vazhdojmë me protesta!

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka deklaruar se kalimi në tregun e lirë për bizneset  do të ketë pasoja të rënda për sektorin privat dhe konsumatorët. Sipas tij, rreth 1300 kompani do të detyrohen të bëjnë investime të konsiderueshme në infrastrukturën fizike të nevojshme për të funksionuar në tregun e lirë

Shahini: Vazhdojmë me protesta!


Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka deklaruar se kalimi në tregun e lirë për bizneset  do të ketë pasoja të rënda për sektorin privat dhe konsumatorët.

Sipas tij, rreth 1300 kompani do të detyrohen të bëjnë investime të konsiderueshme në infrastrukturën fizike të nevojshme për të funksionuar në tregun e lirë, me një kosto të përgjithshme që kap vlerën e 50 milionë eurove. Këto kosto, në fund, do të reflektohen në çmimet për konsumatorin, duke rritur barrën financiare për qytetarët dhe duke kontribuar në rritjen e varfërisë.

‘’Bizneset rrezikohen nga tregu i hapur sepse rriten shpenzimet e infrastrukturës fizike për  të gjitha 1300 kompanitë rreth 50 milionë euro dhe këto para shtesë këto detyrohen të faturohen tek konsumatori  dhe konsumatori varfërohet edhe më shumë’’, tha Shahini.

Shahini ka theksuar se qëllimi i protestës së 29 majit nuk është vetëm mbrojtja e interesave të bizneseve, por edhe e qytetarëve, të cilët do të jenë përfundimisht ata që do të paguajnë faturën e kësaj reforme.

‘’Ne e bëmë këtë protestë për të mbrojtur bizneset por edhe konsumatorin’’, u shpreh ai.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe pavarësinë e ZRRE-së, duke argumentuar se deklaratat e qeverisë – e cila e ka përjashtuar mundësinë e tërheqjes së vendimit tregojnë se rregullatori është nën ndikim politik. Në këtë kuptim, vendimmarrja e ZRRE-së duket e koordinuar me linjën politike të ekzekutivit, çka bie ndesh me rolin e tij si institucion i pavarur.

Shahini ka paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.

‘’Ne do të vazhdojmë me protesta besoj javën e ardhshme’’, përfundoi ai.