Shpërfillja e vazhdueshme e Kurtit ndaj Prokurorisë, këto masa mund t’i ndërmarrë Gjykata
Kryeministri Albin Kurti të martën në mëngjes do të duhej të shkonte në Prokurori, pas ftesës së njëpasnjëshme të kësaj të fundit drejtuar shefit të Qeverisë së Kosovës për t’u paraqitur si dëshmitar. Me shumë gjasë Kurti as këtë herë nuk do të paraqitet në Prokurori, pasi që, bazuar në agjendën e tij zyrtare do

Kryeministri Albin Kurti të martën në mëngjes do të duhej të shkonte në Prokurori, pas ftesës së njëpasnjëshme të kësaj të fundit drejtuar shefit të Qeverisë së Kosovës për t’u paraqitur si dëshmitar.
Me shumë gjasë Kurti as këtë herë nuk do të paraqitet në Prokurori, pasi që, bazuar në agjendën e tij zyrtare do të marrë pjesë në vendosjen e gurë themelit të një çerdheje në Gjilan.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurëthemelit bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Mosparaqitja e kryeministrit Albin Kurti në Prokurori po kritikohet nga avokatët kosovar, të cilët thonë se kjo do të pasohet me gjobë ose me burgim.
Avokati Bajraktari: Kurti mund të burgoset deri në një muaj për refuzimin e dëshmisë
Avokati Ardian Bajraktari për “Front Online” ka folur lidhur me refuzimin e Kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur para Prokurorisë, pas ftesave të dërguara nga kjo e fundit.
Ai thotë se, sipas Kodit të Procedurës Penale, në rast se një dëshmitar nuk paraqitet pas thirrjes, dhe nuk e arsyeton mosparaqitjen, gjyqtari i procedurës paraprake ka të drejtë ta detyrojë të paraqitet.
Ky veprim tashmë është ndërmarrë nga Gjykata.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, dëshmitari i cili është thirrur me rregull nëse nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet, veprim ky i cili tashmë është ndërmarrë nga ana e gjykatës”, shprehet Bajraktari.
Bajraktari shtoi se, nëse Kryeministri nuk paraqitet, ai mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro për çdo herë që nuk paraqitet.
“Pasi që gjykata ka urdhëruar Kryeministrin të paraqitet në Prokurori, nëse i njëjti nuk paraqitet, atëherë gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet”.
Po ashtu, sipas tij ai mund të burgoset deri në një muaj nëse vazhdon të refuzojë të dëshmojë.
“Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset. Burgimi zgjatë derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj”, shprehet avokati.
Ai theksoi se një veprim i tillë është i papranueshëm jo vetëm për qytetarët, por edhe për kreun e ekzekutivit.
Gjithashtu, ai sugjeroi që Prokurori i Shtetit të udhëzojë policinë për të realizuar procedurat e nevojshme.
“Një qasje e tillë mos përfillëse ndaj institucioneve të drejtësisë është e papranueshme nga kushdo qoftë, e aq me pak nga Kryeministri i vendit. Ndoshta do të ishte mirë që të shikohet mundësia që Prokurori i shtetit ta udhëzojë policinë që të kryej këtë veprim procedural, përkatësisht ta zbatojë marrjen në pyetje, në pajtim me nenin 118 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi ai.
Avokati Jashari: Qasja e Kurtit e gabuar, mund të burgoset me mos prezencën e tij në ftesat e Prokurorisë
Avokati Arbër Jashari është deklaruar për “Front Online” mbi refuzimin e Kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur para Prokurorisë, pas urdhrit të gjykatës.
Ai theksoi se, në rast se një dëshmitar nuk paraqitet pas urdhrit të gjykatës, ai mund të dënohet deri në 250 euro për çdo herë që nuk paraqitet.
Jashari tregon se çka parasheh ligji nëse dëshmitari edhe pas gjobës nuk paraqitet në Prokurori.
“Në rast se edhe pas urdhrit të gjykatës, dëshmitari nuk paraqitet serish, atëherë gjykata mund ta dënoj atë deri në 250 euro, sa herë qe nuk paraqitet. Dhe nëse serish dëshmitari refuzon t’i përgjigjet drejtësisë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon te dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij behet i panevojshëm, ose derisa procedura te përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj”, deklaroi ai.
Avokati Jashari e konsideroi këtë qasje si të gabuar të kryeministrit.
“E konsideroj si qasje te gabuar, ngase kryeministri Kurti, duhet te jetë shembulli më i mirë në respektimin e ligjit”, shprehet Jashari.