Shtrenjtohet rryma/ Pasurohet KEDS-i, varfërohen qytetarët
Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) sot ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike, duke e rritur çmimin për 16.1% krahasuar me vitin e kaluar. Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 1 maj 2025. Sipas tarifave të reja, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë (kWh) në muaj do të

Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) sot ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike, duke e rritur çmimin për 16.1% krahasuar me vitin e kaluar. Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 1 maj 2025.
Sipas tarifave të reja, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë (kWh) në muaj do të paguajnë 9.05 centë për kilovat, duke u rritur kështu nga 7.79 centë që ishte më parë. Për ata që konsumojnë mbi 800 kWh, çmimi i energjisë do të arrijë në 15.43 centë për kilovat, nga 14.45 centë sa ishte në vitin e kaluar.
Ndryshime të tjera pritet të ndodhin gjatë periudhës nga 1 prilli deri më 30 shtator, ku çmimi për natën (nga ora 23:00 deri në 08:00) do të jetë më i lartë. Për ata që konsumojnë deri në 800 kWh, çmimi i energjisë do të jetë 3.88 centë për kilovat, ndërsa për konsumatorët me mbi 800 kWh, çmimi do të jetë 7.21 centë për kilovat.
Ky shtrenjtim nga ZRRE-ja është bërë me arsyetimin, siç kanë thënë për t’i përballuar kostot më të larta të importit të energjisë elektrike, kërkesë kjo e paraqitur nga tri operatorët kryesorë të energjisë në vend: KOSTT, KEDS dhe KESCO. Këta të fundit kanë argumentuar se çmimi i energjisë është rritur për shkak të varësisë nga importet.
Në shenjë pakënaqësie ndaj shtrenjtimit të rrymës, në Prishtinë deri më tani janë organizuar dy protesta nga aktivistë të shoqërisë civile, përderisa protesta e radhës do të mbahet këtë të shtune.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike pritet të ketë efekt zinxhiror në shtrenjtimin e shumicës së produkteve në treg, duke filluar nga buka, etj.
A do të shtrenjtohet buka? Flet kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës
Bashkim Zejnullahi, kryetar i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, është deklaruar për FrontOnline nëse rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ndikim në rritjen e çmimit të bukës. Ai ka thënë se, megjithëse nuk mund të konfirmohet ende nëse buka do të shtrenjtohet, tani për tani rritje të çmimit të miellit nuk do të ketë.
‘’ Nuk e dimë ende a do të shtrenjtohet buka por mielli njëherë për njëherë jo’’, tha ai për FrontOnline.
Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme mediet kane raportuar se çmimi i bukës në vend pritet të shkojë në 80 cent, nga 50 cent sa është aktualisht.
Hasanaj kundër rritjes së çmimit të rrymës : Protestat do të vazhdojnë, e radhës mbahet të shtunën
Luan Hasanaj, organizatori i grupit protestues kundër shtrenjtimit të rrymës me moton: “Asnjë Cent më Shumë”, ka shprehur pakënaqësi të theksuar për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 16.1%. Ai e ka konsideruar këtë rritje si një vendim të padrejtë, që nuk merr parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve.
‘’ Vendimi i ZRrE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 16.1% është një vendim i padrejtë, i pambështetur në interesin publik dhe i marrë pa asnjë ndjeshmëri ndaj gjendjes reale ekonomike të qytetarëve’’, tha Hasanaj për FrontOnline.
Hasanaj ka theksuar se ky shtrenjtim do të ketë ndikime të shumta, duke përfshirë rritjen e çmimeve të produkteve bazë, çka do ta bëjë jetesën më të vështirë për shumicën e familjeve në Kosovë. Ai ka paralajmëruar se protesta kundër këtij vendimi do të vazhdojnë, duke e theksuar se ky nuk është thjesht një problem energjie, por një çështje e dinjitetit dhe drejtësisë sociale.
‘’ Kjo rritje nuk është vetëm barrë mbi faturën e rrymës, por do të pasohet me rritje zinxhir të çmimeve të të gjitha produkteve bazë, duke e bërë jetën edhe më të papërballueshme për shumicën e familjeve në Kosovë. Po, protestat do të vazhdojnë. Reagimi qytetar nuk do të ndalet, sepse kjo nuk është vetëm çështje energjie, por çështje dinjiteti dhe drejtësie sociale’’, tha Hasanaj.
Protesta e ardhshme sipas Hasanaj është planifikuar për të shtunën, më 19 prill, në Sheshin Skënderbe, në ora 12:00, ku qytetarët do të shprehin edhe një herë pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të ZRRE-së.
‘’ Protesta e radhës mbahet këtë të shtunë, më 19 prill, në ora 12:00 në Sheshin Skënderbe’’, përfundoi Hasanaj.
Ish-ministri i Ekonomisë: Shtrenjtimi i rrymës goditje për bizneset dhe ekonomitë familjare
Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë, ka shprehur shqetësimin e tij për ndikimin që do të ketë rritja e çmimit të energjisë elektrike në jetën e qytetarëve dhe ekonominë e vendit. Ai ka theksuar se problemi i vetëm nuk është çmimi i energjisë, pasi gjithçka po shtrenjtohet, përfshirë edhe produkte të tjera të konsumit të përditshëm.
‘’ Problemi I vetëm nuk është veç rryma tash po shtrenjtohen shumë gjëra ,cdo gj po shkon në drejtim të përkeqësimit’’, tha ish-ministri.
Shatri ka shtuar se kjo situatë po përkeqësohet dhe se nuk është bërë asgjë për të zgjidhur këto probleme.
‘’Me thënë pse është bërë kjo është se nuk është bërë asgjë për t’i zgjedhur këto problem, s’është punuar asgjë tani normalisht kur të blesh varet nga çmimi sepse nuk ta japin falas rrymën’’, deklaroi Shatri
Ai ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë familjare dhe në bizneset. Ai ka vënë në dukje se shumë artikuj të konsumit bazë do të shtrenjtohen, duke përfshirë produkte që kërkojnë përdorimin e energjisë elektrike për prodhimin e tyre.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë : ZRRE duhet të rregullojë çmimet, jo t’i rrisë ato
Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve të ekonomisë, ka komentuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe ndikimin që kjo do të ketë për qytetarët, veçanërisht për pensionistët dhe skemat sociale. Ai ka theksuar se rritja prej 16.1% do të ketë pasoja të rënda, duke përfshirë dobësimin e fuqisë blerëse, shtrenjtimin e produkteve bazë dhe varfërimin e shportës së konsumatorit.
‘’ Kjo rritje prej 16,1% sigurisht që do të ketë ndikim negative sidomos tek pensionerët e skemat sociale por ndikon dhe tek ekonomitë familjare , pastaj dobësohet fuqia blerëse shtrenjtohen produktet bazike dhe kështu varfërohet shporta e konsumatorit’’, tha Bellaqa.
Sipas Bellaqës, energjia elektrike do të duhej të kishte çmime të përballueshme, të përcaktuara sipas kostos direkte të rajonit. Ai ka kërkuar që ZRRE të rregullojë çmimet dhe të shmangë rritjen e tyre, pasi kjo do të dëmtojë më tej ekonominë familjare.
‘’Energjia do të duhej të ishte në bazë të rajonit sipas kostos direkte , ZRrE duhej ti rregullojë çmimet jo ti caktoj rritje, çmimet duhet të përshtaten dhe të mos e dëmtojnë ekonominë familjare ‘’, deklaroi Bellaqa.