Si po i përdor Kina mineralet e rralla si armë strategjike?

Kontrolli i Kinës mbi mineralet e rralla – të domosdoshme për prodhimin e smartphone-ve, makinave elektrike dhe teknologjisë ushtarake i ka bërë SHBA-në, Evropën dhe Indinë të cënueshme. Kapja e fortë e Kinës tek mineralet e rralla – burime thelbësore për industrinë elektronike, automobilistike dhe mbrojtëse i jep vendit një avantazh të madh strategjik ndaj Shteteve të [...]Read More...

Si po i përdor Kina mineralet e rralla si armë strategjike?

Kontrolli i Kinës mbi mineralet e rralla – të domosdoshme për prodhimin e smartphone-ve, makinave elektrike dhe teknologjisë ushtarake i ka bërë SHBA-në, Evropën dhe Indinë të cënueshme.

Kapja e fortë e Kinës tek mineralet e rralla – burime thelbësore për industrinë elektronike, automobilistike dhe mbrojtëse i jep vendit një avantazh të madh strategjik ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë negociatave në zhvillim mbi kushtet e tregtisë.

Duke kontrolluar rreth 60% të prodhimit global të mineraleve të rralla dhe pothuajse 90% të përpunimit të tyre, Kina ka përforcuar edhe më shumë ndikimin e saj, duke vendosur kufizime në eksportin e elementeve të rralla dhe magneteve të përhershme.

Disa prej këtyre masave, të cilat fillimisht ishin përgjigje ndaj tarifave të larta të vendosura mbi eksportet kineze nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, u lehtësuan përkohësisht për t’i hapur rrugë negociatave tregtare ndërmjet dy vendeve.

Megjithatë, të enjten (09.10.2025), Pekini njoftoi kufizime të reja të gjera mbi eksportet e mineraleve të rralla, duke përfshirë ndalime për teknologjinë e përpunimit dhe kufizime të drejtpërdrejta për përdoruesit jashtë vendit në fushën e mbrojtjes dhe të gjysmëpërçuesve. Kjo lëvizje përbën versionin kinez të rregullit amerikan për produktet e huaja direkte, përmes të cilit Uashingtoni kufizoi eksportet e çipave drejt Kinës, edhe nga vende të treta.

Ky vendim, i marrë disa javë para një takimi të mundshëm kokë më kokë midis Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, thekson edhe më shumë varësinë e SHBA-së, e cila mungesën e kapaciteteve të veta për përpunimin e mineraleve e ka kthyer në një dobësi strategjike.

“E gjithë ekonomia botërore varet nga këta magnetë që prodhohen në Kinë,” — shprehet Jost Wübbeke, bashkëthemelues i kompanisë kërkimore Sinolytics me qendër në Berlin, që fokusohet në ekonominë dhe politikat industriale të Kinës. “Nëse ndalet eksporti i tyre, efekti do të ndihet në të gjithë botën.”

Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, të shkaktuara nga kufizimet e mëparshme, tashmë kanë goditur rëndë industritë amerikane. Kompania Ford, për shembull, njoftoi në maj se ishte detyruar të ulte prodhimin e SUV-ve në fabrikën e Çikagos për shkak të mungesave. Ndërkohë, furnizuesit e pjesëve të automobilëve Aptiv dhe BorgWarner deklaruan, se po zhvillojnë motorë me pak ose aspak përmbajtje të mineraleve të rralla, për të shmangur varësinë nga furnizimet kineze.

Michael Dunne, një këshilltar me fokus në tregun kinez, deklaroi për The New York Times në qershor se kufizimet e Kinës “mund ta paralizojnë plotësisht prodhimin e automjeteve në fabrikat amerikane.”/dw/